Sahihu i Buhariut — Hadithi 7369
28. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “... Dhe ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta…”
“… Dhe konsultoji ata për këtë çështje…” (Ali Imran, 159) Konsultimi duhet të jetë para se ta vendosë dhe para se ta vërtetojë, për shkak të Fjalës së Allahut: “... E kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun...” (Ali Imran, 159) Nëse i Dërguari i Allahut ﷺ vendos për një gjë, atëherë askujt nuk i takon që ta tejkalojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pejgamberi ﷺ i konsultoi shokët e vet, ditën e Uhudit, nëse ishte më mirë të qëndronin brenda (Medinës) apo të dilnin jashtë saj. Pasi u armatos dhe e vendosi, ata i thanë: Qëndro (në Medinë), porse ai nuk i dëgjoi, pasi e kishte vendosur dhe tha: “Nuk i takon një pejgamberi që, pasi të veshë parzmoren, ta lërë atë, pa gjykuar Allahu ndryshe.” Po ashtu, Pejgamberi ﷺ e konsultoi Aliun dhe Usamen, për atë që shpifësit i shpifën Aishes. Kështu, ai i dëgjoi ata dy. E, kur i zbriti Kurani, shpifësit i dënoi me goditje kamxhiku dhe nuk e përfilli mospajtimin e tyre (sahabëve), por gjykoi me atë që Allahu e urdhëroi. Prijësit pas Pejgamberit ﷺ i konsultonin njerëzit e besueshëm nga radhët e dijetarëve, në çështjet e lejuara, në mënyrë që ta vepronin më të lehtën, e, nëse këtë e sqaronte Kurani a Suneti, pas kësaj ata nuk kërkonin diku tjetër, duke u shëmbëllyer me Pejgamberin ﷺ. Ebu Bekri ishte i mendimit që t’i luftonte ata që nuk e jepnin zekatin, kështu që Omeri i tha: "Si po i lufton njerëzit, ndërkaq i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam urdhëruar t'i luftoj njerëzit derisa të thonë ‘la ilahe ilallah’. Ai që thotë ‘la ilahe ilallah’, prej meje e ka të siguruar gjakun dhe pasurinë, përveç (nëse bie ndesh) me të drejtën (islame), ndërkohë llogaria e tij është tek Allahu.” Atëherë Ebu Bekri tha: "Betohem në Allahun se do t'i luftoj ata që bëjnë dallim mes dy gjërave që i bashkoi i Dërguari i Allahut ﷺ (namazi dhe zekati). Pas kësaj, Omeri e pasoi atë. Ebu Bekri nuk e përfilli konsultën, sepse ai e kishte dispozitën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, për ata që e bëjnë dallimin mes namazit e zekatit dhe donin ta ndryshonin fenë dhe dispozitat e saj." Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atë që e ndërron fenë, vriteni.” Në mesin e personave që rrinin në ndejat e Omerit ishin njohësit (e Kuranit), me të cilët ai këshillohej, ku kishte të moshuar dhe të rinj. Omeri ka qenë i nënshtruar ndaj dispozitave të Librit të Allahut.
7369. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve, Ibn Musejebi, Alkame ibn Vekasi dhe Ubejdullahu se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), teksa po e tregonte ndodhinë kur shpifësit patën shpifur për të, tha: “Kur iu vonua shpallja të Dërguarit të Allahut ﷺ, ai e thirri Ali ibn Ebu Talibin dhe Usame ibn Zejdin, për t'i pyetur dhe për t'u konsultuar me ta për ta ndarë gruan e tij (Aishen). Usame i tregoi atë që dinte për pafajësinë e saj. Ndërkaq, Aliu i tha: “Allahu nuk të ka vënë kufizime, ka edhe shumë gra të tjera krahas saj, megjithatë kërkoji shërbëtores të ta thotë të vërtetën.” I Dërguari i Allahut ﷺ e pyeti (Berirën): “A ke parë ndonjëherë diçka tek ajo, që të ngjall dyshime për të?” Berira i tha: “Jo, unë nuk kam parë gjë (të keqe), përveç faktit se ajo është vajzë shumë e re, ndodh që ta zërë gjumi e ta lërë brumin e familjes (pa kujdes) dhe të vijnë pulat e ia hanë.” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u ngjit në minber dhe tha: “O ju muslimanë! Kush më mbështet të hakmerrem ndaj atij që më ka prekur në nder të familjes? Betohem në Allahun se unë di vetëm të mira për familjen time.” Pastaj e përmendi pafajësinë e Aishes.”
Këtë e transmeton edhe Ebu Usame nga Hishami.