Sahihu i Buhariut — Hadithi 7370
28. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Madhëruar: “... Dhe ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta…”
“… Dhe konsultoji ata për këtë çështje…” (Ali Imran, 159) Konsultimi duhet të jetë para se ta vendosë dhe para se ta vërtetojë, për shkak të Fjalës së Allahut: “... E kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun...” (Ali Imran, 159) Nëse i Dërguari i Allahut ﷺ vendos për një gjë, atëherë askujt nuk i takon që ta tejkalojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pejgamberi ﷺ i konsultoi shokët e vet, ditën e Uhudit, nëse ishte më mirë të qëndronin brenda (Medinës) apo të dilnin jashtë saj. Pasi u armatos dhe e vendosi, ata i thanë: Qëndro (në Medinë), porse ai nuk i dëgjoi, pasi e kishte vendosur dhe tha: “Nuk i takon një pejgamberi që, pasi të veshë parzmoren, ta lërë atë, pa gjykuar Allahu ndryshe.” Po ashtu, Pejgamberi ﷺ e konsultoi Aliun dhe Usamen, për atë që shpifësit i shpifën Aishes. Kështu, ai i dëgjoi ata dy. E, kur i zbriti Kurani, shpifësit i dënoi me goditje kamxhiku dhe nuk e përfilli mospajtimin e tyre (sahabëve), por gjykoi me atë që Allahu e urdhëroi. Prijësit pas Pejgamberit ﷺ i konsultonin njerëzit e besueshëm nga radhët e dijetarëve, në çështjet e lejuara, në mënyrë që ta vepronin më të lehtën, e, nëse këtë e sqaronte Kurani a Suneti, pas kësaj ata nuk kërkonin diku tjetër, duke u shëmbëllyer me Pejgamberin ﷺ. Ebu Bekri ishte i mendimit që t’i luftonte ata që nuk e jepnin zekatin, kështu që Omeri i tha: "Si po i lufton njerëzit, ndërkaq i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam urdhëruar t'i luftoj njerëzit derisa të thonë ‘la ilahe ilallah’. Ai që thotë ‘la ilahe ilallah’, prej meje e ka të siguruar gjakun dhe pasurinë, përveç (nëse bie ndesh) me të drejtën (islame), ndërkohë llogaria e tij është tek Allahu.” Atëherë Ebu Bekri tha: "Betohem në Allahun se do t'i luftoj ata që bëjnë dallim mes dy gjërave që i bashkoi i Dërguari i Allahut ﷺ (namazi dhe zekati). Pas kësaj, Omeri e pasoi atë. Ebu Bekri nuk e përfilli konsultën, sepse ai e kishte dispozitën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, për ata që e bëjnë dallimin mes namazit e zekatit dhe donin ta ndryshonin fenë dhe dispozitat e saj." Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atë që e ndërron fenë, vriteni.” Në mesin e personave që rrinin në ndejat e Omerit ishin njohësit (e Kuranit), me të cilët ai këshillohej, ku kishte të moshuar dhe të rinj. Omeri ka qenë i nënshtruar ndaj dispozitave të Librit të Allahut.
7370. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Harbi më ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ebu Zekerija Gasaniu, e ky nga Hishami, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u ligjëroi njerëzve, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Çka më propozoni mua në lidhje me disa njerëz të cilët e shajnë familjen time? Ndërkohë, unë kurrë nuk di gjë të keqe për të (familjen).”
Urve tregon: “Pasi Aishja u informua për këtë (shpifjen), ajo tha: “O i Dërguari i Allahut, a më jep leje të shkoj te familja ime?” Ai i dha leje dhe dërgoi me të një shërbëtor.
Dikush prej ensarëve tha: “I lartësuar je Ti (o Zot), neve nuk na takon të flasim për këtë! I lartësuar je Ti, kjo është shpifje e madhe!”