Sahihu i Buhariut — Hadithi 7384

7. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “ Ai është i Plotfuqishmi (Aziz), i Urti (Hakim).”

Fjala e Tij: “I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Fuqisë, mbi çfarë i veshin ata!” (Safat, 180) Fjala e Tij: “E tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve.” (Munafikun, 8) Po ashtu, kur dikush betohet në Krenarinë e Allahut dhe në cilësitë e Allahut. Enesi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Xhehenemi thotë: "Mjafton, mjafton, për Krenarinë Tënde!” Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Një njeri do të mbesë një copë kohë midis Xhenetit dhe Zjarrit, gjegjësisht, banori i fundit që ka dalë nga Zjarri dhe do të futet në Xhenet, e në atë rast do të thotë: "O Zoti im, ma largo fytyrën time nga Zjarri! Për Krenarinë Tënde, s’do të të kërkoj diçka tjetër pos kësaj!" Ebu Seidi, në lidhje me këtë hadith, ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Allahu Fuqiplotë në atë rast thotë: "Ke aq dhe dhjetëfishin e saj." Ejubi (alejhis selam) ka thënë: "Për Krenarinë Tënde, nuk ngopem me begatitë tua."

7384. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ibn Ebu Esvedi na ka thënë: Na ka treguar Haremiu, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “Hidhen në Zjarr.” [t]: Halife më ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja, e ky nga Enesi; [t]: Muëtemiri transmeton se e ka dëgjuar babanë e tij, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të vazhdojnë të hidhen në Xhehenem, e ai do të thotë: “A ka më?” - derisa Zoti i botëve ta vërë Këmbën e Tij në të, e në atë rast njëra anë e tij do të puthitet me tjetrën. Pastaj (Zjarri) do të thotë: “Mjafton, mjafton, për madhështinë dhe krenarinë Tënde!” Gjithashtu, një pjesë e Xhenetit do të teprojë, saqë Allahu do të krijojë krijesa të reja për të mbushur pjesën e mbetur të Xhenetit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7384

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?