Sahihu i Buhariut — Hadithi 7420
22. Nënkapitulli: Ajetet: “Arshi i Tij ishte mbi ujë.”, “Ai është Zoti i Arshit të Madh.”
Ebu Alije ka thënë: “Iu drejtua qiellit...” (Fusilet, 11) do të thotë: është ngritur (mbi të); “i bëri”: i krijoi. Muxhahidi ka thënë: “Qëndroi” do të thotë: u ngrit, "mbi Arsh” (Araf, 54). Ibn Abasi ka thënë: “el-Mexhid” (Buruxh, 15) do të thotë: Bujari; “el-Vedud” (Buruxh, 14) do të thotë: i Dashuri.
7420. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademi, e këtij i ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Zejd ibn Harithe erdhi për t'u ankuar, kurse Pejgamberi ﷺ i thoshte: “Kije frikë Allahun dhe mbaje gruan tënde!”
Enesi shton: “Sikur i Dërguari i Allahut ﷺ të mbante fshehtë diçka, do ta fshihte këtë.”
Pastaj tha: “Zejnebja mburrej kundrejt grave të tjera të Pejgamberit ﷺ duke thënë: “Ju ju kanë martuar familjet tuaja, kurse mua më kurorëzoi Allahu i Lartësuar, prej mbi shtatë qiejve.”
Thabiti transmeton: “Ajeti “... Në të vërtetë, ti po fsheh në vetvete atë që Allahu do ta nxjerrë në shesh dhe ti po u frikësohesh njerëzve... ” (Ahzab, 37) ka zbritur për çështjen e Zejnebes dhe Zejd ibn Harithes.”