Sahihu i Buhariut — Hadithi 7424
22. Nënkapitulli: Ajetet: “Arshi i Tij ishte mbi ujë.”, “Ai është Zoti i Arshit të Madh.”
Ebu Alije ka thënë: “Iu drejtua qiellit...” (Fusilet, 11) do të thotë: është ngritur (mbi të); “i bëri”: i krijoi. Muxhahidi ka thënë: “Qëndroi” do të thotë: u ngrit, "mbi Arsh” (Araf, 54). Ibn Abasi ka thënë: “el-Mexhid” (Buruxh, 15) do të thotë: Bujari; “el-Vedud” (Buruxh, 14) do të thotë: i Dashuri.
7424. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Jahja ibn Xhaferi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahim Tejmiu, e ky nga babai i tij se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, hyra në xhami, ku i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ulur dhe, pasi dielli perëndoi, Pejgamberi ﷺ më tha: “O Ebu Dherr, vallë, e di ku shkon ky (Dielli)?” Unë i thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Ai shkon dhe kërkon leje të bëjë sexhde dhe i jepet leja. (Para Kiametit) sikur i thuhet atij: “Kthehu nga ke ardhur!” Atëherë lind nga perëndimi.” Pastaj citoi: “Ky është vendi i caktuar i tij”, sipas leximit të Abdullahut.”