Sahihu i Buhariut — Hadithi 7429
23. Nënkapitulli: Ajeti: “Melekët dhe Shpirti (Xhibrili) ngjiten tek Ai...”
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Tek Ai ngrihet fjala e mirë...” (Fatir, 10) Ebu Xhemre transmeton se Ibn Abasi ka rrëfyer: Kur Ebu Dherri dëgjoi për dërgimin e Pejgamberit ﷺ, i tha vëllait të vet: Më informo më shumë për këtë njeri që po pretendon se i vjen lajmi prej qiellit. Muxhahidi ka thënë: Ajeti: “... ndërsa vepra e mirë...” (Fatir, 10) do të thotë: e ngre lartë fjalën e mirë. Thuhet: “Zoti i Rrugëve të Ngjitjes” (Mearixh, 3) do të thotë: Melekët ngjiten për tek Allahu.
7429. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Melekët që ju përcjellin, ndërrohen gjatë natës dhe ditës. Ata takohen me njëri-tjetrin në namazin e ikindisë dhe në namazin e sabahut. Pastaj, melekët që kanë bujtur, ngrihen (për tek Allahu) dhe Ai i pyet, ndonëse e di më së miri gjendjen e tyre: “Si i latë robërit e Mi?” Ata thonë: “I lamë duke u falur, ashtu siç i gjetëm duke u falur.”