Sahihu i Buhariut — Hadithi 7432

23. Nënkapitulli: Ajeti: “Melekët dhe Shpirti (Xhibrili) ngjiten tek Ai...”

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Tek Ai ngrihet fjala e mirë...” (Fatir, 10) Ebu Xhemre transmeton se Ibn Abasi ka rrëfyer: Kur Ebu Dherri dëgjoi për dërgimin e Pejgamberit ﷺ, i tha vëllait të vet: Më informo më shumë për këtë njeri që po pretendon se i vjen lajmi prej qiellit. Muxhahidi ka thënë: Ajeti: “... ndërsa vepra e mirë...” (Fatir, 10) do të thotë: e ngre lartë fjalën e mirë. Thuhet: “Zoti i Rrugëve të Ngjitjes” (Mearixh, 3) do të thotë: Melekët ngjiten për tek Allahu.

7432. Nga: Ebu Seid Hudriu

Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga babai i tij, e ky nga ibn Ebu Numi, - ose: vetë Ebu Numi, Kabisa është në mëdyshje, - se Ebu Seidi ka thënë: Pejgamberit ﷺ iu soll ca ar i papërpunuar, të cilin shpërndau mes katër personave; [t]: Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Sufjani, e ky nga babai i tij, e ky nga Ibn Ebu Numi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Aliu ishte në Jemen, i dërgoi Pejgamberit ﷺ pak ar të papërpunuar, të cilin Pejgamberi ﷺ ua ndau: Akra ibn Habis Handhaliut nga fisi muxhashi, Ujejne ibn Bedër Fezariut, Alkame ibn Ulathe Amiriut nga fisi benu kilab dhe Zejd Hajl Taiut nga fisi benu nebhan. Kurejshët dhe ensarët u hidhëruan, andaj thanë: “Po u jep prijësve të banorëve të Nexhdit, ndërsa ne po na lë?” Pejgamberi ﷺ u tha: “Po ua përfitoj zemrat.” Një njeri me sy të gropuar, me ballë të dalë, mjekërdendur e mollëza të dala dhe flokërruar, erdhi dhe tha: “O Muhamed! Kije frikë Allahun!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “E kush do t'i bindet Allahut, nëse unë i bëj mëkat? Allahu po m'i beson banorët e Tokës, ndërsa ju nuk po më besoni (për këto pasuri)?” Dikush i kërkoi leje për ta vrarë, më duket se ishte Halid ibn Velidi, por Pejgamberi ﷺ e ndali. Kur burri në fjalë shkoi, Pejgamberi ﷺ tha: “Pasardhësit e këtij janë njerëz që e lexojnë Kuranin, por (ky lexim) nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre. Dalin prej fesë (Islamit) ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut, i vrasin muslimanët, ndërkohë i kursejnë idhujtarët. Nëse i arrij ata, do t'i vras siç u vranë populli i Adit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7432

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?