Sahihu i Buhariut — Hadithi 7447
24. Nënkapitulli: Ajeti: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara), që Zotin e tyre e shikojnë.”
7447. Nga: Ebu Bekrete
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Muhamedi, e ky nga Ibn Ebu Bekrete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Koha është rikthyer siç ka qenë atëherë kur Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën. Viti është dymbëdhjetë muaj, katër prej të cilëve janë të shenjtë: tre radhazi: dhul kade, dhul hixhe dhe muharremi, si dhe muaji rexheb i fisit mudar, që gjendet mes muajve xhumada dhe shaban. (Pastaj pyeti:) Në cilin muaj jemi?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thamë.
Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është muaji dhul hixhe?”
- Po, ashtu është.
- “Cili qytet është ky?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është qyteti i shenjtë?”
- Po, ashtu është.
- “Çfarë dite është sot?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.
Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit?”
- Po, ashtu është.
- “Dijeni mirë se: gjaqet dhe pasuria, - ndërkaq Muhamed ibn Sirini thotë: “Me duket se ka thënë: dhe nderi juaj, - janë të shenjtë sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë vend, në këtë muaj. Ju do ta takoni Zotin tuaj, i Cili do t'ju pyesë për veprat tuaja. Mos u ktheni në humbje pas meje (pas vdekjes sime) e të vrisni njëri-tjetrin. Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë, sepse atij që do t'i kumtohet ndoshta e kupton më mirë se këta që po e dëgjojnë.” Muhamed ibn Sirini, kur e përmendte këtë, thoshte: “Pejgamberi ﷺ e ka thënë të vërtetën.”
Pastaj (Pejgamberi ﷺ) tha: “A e kumtova, vallë? A e kumtova, vallë?”