Sahihu i Buhariut — Hadithi 7465
31. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur në lidhje me dëshirën dhe vullnetin
Allahu i Lartësuar ka thënë: - “E ju nuk mund të dëshironi (asgjë), përveç nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (Tekvir, 29) - “Ti i jep pushtetin atij që do...” (Ali Imran, 26) - “Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: Unë do të bëj këtë nesër! Vetëm (nëse i shton): Në dashtë Allahu!” (Kehf, 23-24) - “... Allahu me këtë dëshiron lehtësim, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (Bekare, 185) Musejebi ka thënë se ajeti: “Ti (o Muhamed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”, (Kasas, 56) ka zbritur për Ebu Talibin.
7465. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu; [t]: Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im Abdulhamidi, e ky nga Sulejmani, e ky nga Muhamed ibn Ebu Atiku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ali ibn Husejni, e këtij i ka treguar Husejn ibn Aliu se Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, i Dërguari i Allahut ﷺ na trokiti (në derë) mua e Fatimes, bijës së të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe në atë rast na tha:
- “A nuk po faleni?!”
- O i Dërguari i Allahut, shpirtrat tanë janë në Dorën e Allahut. Nëse dëshiron të na zgjojë, na zgjon, - i thashë unë.
Kur i thashë kështu, i Dërguari i Allahut u largua pa më thënë kurrgjë. Pastaj, teksa largohej, godiste kofshën e tij dhe e dëgjova duke thënë: “Por, njeriu është polemizues më tepër se kushdo tjetër.” (Kehf, 54)