Sahihu i Buhariut — Hadithi 7467
31. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur në lidhje me dëshirën dhe vullnetin
Allahu i Lartësuar ka thënë: - “E ju nuk mund të dëshironi (asgjë), përveç nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (Tekvir, 29) - “Ti i jep pushtetin atij që do...” (Ali Imran, 26) - “Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: Unë do të bëj këtë nesër! Vetëm (nëse i shton): Në dashtë Allahu!” (Kehf, 23-24) - “... Allahu me këtë dëshiron lehtësim, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (Bekare, 185) Musejebi ka thënë se ajeti: “Ti (o Muhamed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”, (Kasas, 56) ka zbritur për Ebu Talibin.
7467. Nga: Abdullah ibn Omeri
Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ teksa ishte në minber, duke thënë: “Kohëqëndrimi juaj (në këtë botë), në raport me umetet e tjera para jush, është sikurse koha mes ikindisë dhe perëndimit të diellit. Tevrati iu dha bartësve të vet (hebrenjve), të cilët punuan deri në mesditë, por aty ngecën, andaj u shpërblyen me nga një kirat. Inxhili iu dha bartësve të vet (të krishterëve), të cilët punuan deri në namaz të ikindisë, por aty ngecën, andaj u shpërblyen me nga një kirat. Pastaj Kurani ju dha juve, me të cilin punuat deri në perëndim të diellit, andaj u shpërblyet me nga dy kiratë. Bartësit e Tevratit thonë:
- O Zoti ynë! Këta kanë punuar më pak, porse janë shpërblyer më shumë?
- A mos vallë ju kam bërë padrejtësi sa i përket shpërblimit tuaj? - u thotë Allahu Fuqiplotë.
- Jo, - thonë ata.
- E po, kjo është mirësia Ime, ia jap kujt të dua, - thotë Allahu.”