Sahihu i Buhariut — Hadithi 7468
31. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur në lidhje me dëshirën dhe vullnetin
Allahu i Lartësuar ka thënë: - “E ju nuk mund të dëshironi (asgjë), përveç nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (Tekvir, 29) - “Ti i jep pushtetin atij që do...” (Ali Imran, 26) - “Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: Unë do të bëj këtë nesër! Vetëm (nëse i shton): Në dashtë Allahu!” (Kehf, 23-24) - “... Allahu me këtë dëshiron lehtësim, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (Bekare, 185) Musejebi ka thënë se ajeti: “Ti (o Muhamed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”, (Kasas, 56) ka zbritur për Ebu Talibin.
7468. Nga: Ubade ibn Samiti
Abdullah Musnediu na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Idrisi se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Ia dhashë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ me një grup njerëzish, e në atë rast ai na tha: “Po e lidh besën me ju që: nuk do t'i shoqëroni Allahut asgjë, nuk do të vidhni, nuk do të bëni zina, nuk do t'i mbysni fëmijët tuaj, nuk do të bëni shpifje në moralin e njëri-tjetrit dhe nuk do të më kundërshtoni kur t'ju urdhëroj për të mirë. Cilido prej jush që e mban besën e tij, do të shpërblehet nga Allahu. E, kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë) dhe ndëshkohet në dynja, kjo është shpagim dhe pastrim për të. E, kujtdo që Allahu ia mbulon ato, atëherë i përket Allahut: nëse do, e dënon, e, nëse do, e fal atë.”