Sahihu i Buhariut — Hadithi 7470

31. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur në lidhje me dëshirën dhe vullnetin

Allahu i Lartësuar ka thënë: - “E ju nuk mund të dëshironi (asgjë), përveç nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (Tekvir, 29) - “Ti i jep pushtetin atij që do...” (Ali Imran, 26) - “Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: Unë do të bëj këtë nesër! Vetëm (nëse i shton): Në dashtë Allahu!” (Kehf, 23-24) - “... Allahu me këtë dëshiron lehtësim, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (Bekare, 185) Musejebi ka thënë se ajeti: “Ti (o Muhamed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”, (Kasas, 56) ka zbritur për Ebu Talibin.

7470. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehab Thekafiu, e këtij i ka treguar Halid Hadhai, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi te një beduin (i sëmurë) për ta vizituar dhe i tha: “La bes, tahur inshallah (S'ka gjë, shpresojmë të jetë pastrim, në dashtë Allahu)!”
Beduini ia ktheu: “Pastrim?! Përkundrazi, kjo është zjarrmi që vlon në trupin e një plaku të vjetër, që e dërgon drejt varrit.” Pejgamberi ﷺ i tha: “E po, ashtu qoftë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7470

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?