Sahihu i Buhariut — Hadithi 7471

31. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur në lidhje me dëshirën dhe vullnetin

Allahu i Lartësuar ka thënë: - “E ju nuk mund të dëshironi (asgjë), përveç nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (Tekvir, 29) - “Ti i jep pushtetin atij që do...” (Ali Imran, 26) - “Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: Unë do të bëj këtë nesër! Vetëm (nëse i shton): Në dashtë Allahu!” (Kehf, 23-24) - “... Allahu me këtë dëshiron lehtësim, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (Bekare, 185) Musejebi ka thënë se ajeti: “Ti (o Muhamed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”, (Kasas, 56) ka zbritur për Ebu Talibin.

7471. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Hushejmi, e ky nga Husajni, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në rastin kur i kishte zënë gjumi për namaz, tregon se Pejgamberi ﷺ u tha: “Allahu jua merr shpirtrat dhe jua kthen kur të dojë.” Kështu, ata i kryen nevojat fiziologjike, morën abdes dhe, kur lindi dielli e u zbardh, Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe u fal.

Referenca: Sahihu i Buhariut 7471

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?