Sahihu i Buhariut — Hadithi 7472

31. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur në lidhje me dëshirën dhe vullnetin

Allahu i Lartësuar ka thënë: - “E ju nuk mund të dëshironi (asgjë), përveç nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (Tekvir, 29) - “Ti i jep pushtetin atij që do...” (Ali Imran, 26) - “Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: Unë do të bëj këtë nesër! Vetëm (nëse i shton): Në dashtë Allahu!” (Kehf, 23-24) - “... Allahu me këtë dëshiron lehtësim, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (Bekare, 185) Musejebi ka thënë se ajeti: “Ti (o Muhamed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”, (Kasas, 56) ka zbritur për Ebu Talibin.

7472. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Kazea na ka thënë: Na ka treguar Ibrahimi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme dhe Arexhi; [t]: Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im, e ky nga Sulejmani, e ky nga Muhamed ibn Ebu Atiku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani dhe Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Dy burra u zunë mes vete, njëri musliman, tjetri hebre. Muslimani, duke u betuar për diçka, tha: “Betohem në Atë që e ka përzgjedhur Muhamedin kundrejt gjithë njerëzimit!” Hebreu tha: “Betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain kundrejt gjithë njerëzimit!” Atëherë muslimani e ngriti dorën dhe i ra me shuplakë hebreut. Kështu, hebreu shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia tregoi ngjarjen e tij me muslimanin. Pejgamberi ﷺ tha: “Mos më mbivlerësoni kundrejt Musait, sepse, kur njerëzve do t'u bjerë të fikët Ditën e Kiametit dhe unë do të jem i pari që do të këndellem, do ta shoh Musain duke u mbajtur anash Arshit. Nuk di nëse edhe atij i ka rënë të fikët dhe është këndellur para meje apo është prej atyre ndaj të cilëve Allahu ka bërë përjashtim.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7472

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?