Sahihu i Buhariut — Hadithi 7475

31. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur në lidhje me dëshirën dhe vullnetin

Allahu i Lartësuar ka thënë: - “E ju nuk mund të dëshironi (asgjë), përveç nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (Tekvir, 29) - “Ti i jep pushtetin atij që do...” (Ali Imran, 26) - “Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: Unë do të bëj këtë nesër! Vetëm (nëse i shton): Në dashtë Allahu!” (Kehf, 23-24) - “... Allahu me këtë dëshiron lehtësim, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (Bekare, 185) Musejebi ka thënë se ajeti: “Ti (o Muhamed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”, (Kasas, 56) ka zbritur për Ebu Talibin.

7475. Nga: Ebu Hurejra

Jesera ibn Safvan ibn Xhemil Lahmiu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në gjumë, pashë në ëndërr se isha pranë një pusi. Nxora prej tij (ujë) aq sa deshi Allahu, pastaj e mori Ibn Ebu Kuhafe (Ebu Bekri) dhe nxori një ose dy kova ujë, porse gjatë nxjerrjes kishte dobësi, Allahu e faltë! Pastaj e mori Omeri, e në atë rast kova (në dorën e tij) u bë e madhe. Nuk kam parë njeri më të shkathët në nxjerrje se ai, nxori aq ujë, saqë njerëzit e shfrytëzuan vendin për mriz (të deveve).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7475

Fjalë të panjohura?