Sahihu i Buhariut — Hadithi 7478
31. Nënkapitulli: Transmetimet që kanë ardhur në lidhje me dëshirën dhe vullnetin
Allahu i Lartësuar ka thënë: - “E ju nuk mund të dëshironi (asgjë), përveç nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (Tekvir, 29) - “Ti i jep pushtetin atij që do...” (Ali Imran, 26) - “Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: Unë do të bëj këtë nesër! Vetëm (nëse i shton): Në dashtë Allahu!” (Kehf, 23-24) - “... Allahu me këtë dëshiron lehtësim, e nuk dëshiron vështirësim për ju...” (Bekare, 185) Musejebi ka thënë se ajeti: “Ti (o Muhamed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit”, (Kasas, 56) ka zbritur për Ebu Talibin.
7478. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Amër ibn Hafsi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi se Ubejdullah ibn Abdullahu tregon se Ibn Abasi dhe Hurr ibn Kajs ibn Hisn Fezariu debatuan për personin që e kishte takuar Musai ﷺ, nëse ai ka qenë vetë Hidri, apo jo. Pranë tyre kaloi Ubej ibn Kab Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ibn Abasi e thirri e i tha: “Unë dhe ky shoku im po diskutonim rreth personit që Musai ﷺ bëri rrugë për ta takuar. A e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë folur për të?”
Ai iu përgjigj: Po, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Teksa Musai ﷺ ishte në mesin e një grupi benu israilësh, shkoi një njeri dhe i tha: “A njeh ndokënd që është më i ditur se ti?”
- Jo, - tha Musai ﷺ.
Atëherë, Musait iu shpall: “Po, robi Ynë, Hidri (është më i ditur).”
Musai ﷺ kërkoi takimin me të, e Allahu ia bëri peshkun si shenjë. Kur ta kesh humbur peshkun, kthehu, se atëherë do ta takosh atë (Hidrin), - iu tha atij. Kështu, Musai ﷺ priste humbjen e peshkut në det.
Kur djaloshi, që e shoqëronte, i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj.” Musai ia ktheu: “Këtë po e prisnim.” Kështu, u kthyen mbrapa nëpër gjurmët e veta nga kishin ardhur dhe aty e gjetën Hidrin, e pastaj historia vazhdon ashtu siç e ka përmendur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij.”