Sahihu i Buhariut — Hadithi 7481
32. Nënkapitulli: Ajeti: “Asnjë ndërmjetësim tek Ai nuk bën dobi, përveçse për atë që Ai jep leje. Kur t’u hiqet frika nga zemrat e tyre, ata do të thonë: “Çfarë tha Zoti juaj?” dhe do të përgjigjen: “Të vërtetën! Ai është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.”
Buhariu thotë se në ajet nuk është thënë: "Çfarë ka krijuar Zoti juaj (për fjalët e Allahut Fuqiplotë)? Po ashtu, i Madhëruari ka thënë: “E kush ndërmjetëson tek Ai, përveçse me lejen e Tij?” (Bekare, 255) Mesruku transmeton se Ibn Mesudi ka thënë: "Kur Allahu flet me shpallje, banorët e qiejve dëgjojnë diçka, porse, kur u hiqet frika nga zemrat e tyre dhe qetësohet zëri, ata e dinë se kjo është e vërteta, andaj thërrasin: “Çfarë tha Zoti juaj?” dhe do të përgjigjen: “Të vërtetën!” Përmendet nga Xhabiri se ka transmetuar nga Abdullah ibn Unejsi ka thënë: "E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Allahu i tubon robërit e Vet dhe i thërret me një zë që e dëgjon i largëti sikurse që e dëgjon i afërmi: "Unë jam Meliku (Mbreti), Unë jam Dejani (Shpërblyesi).”
7481. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky nga Ikrime se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur Allahu të caktojë ndonjë punë në qiell, melekët rrahin krahët në shenjë përuljeje ndaj urdhrit të Tij, sikurse zinxhiri (kur bie) mbi sipërfaqen e gurit të lëmuar, kur Allahu ua kalon urdhrin atyre.
Pasi t'u largohet frika nga zemrat, ata thonë: “Çka tha Zoti juaj? - Të vërtetën. Ai është i Larti dhe i Madhi! - përgjigjen të tjerët.”
Aliu ka thënë: “Këtë na e ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri nga Ikrime, e ky nga Ebu Hurejra. Sufjani ka thënë: “Amri ka thënë: “E kam dëgjuar Ikrimen duke thënë: “E kam dëgjuar Ebu Hurejrën.” Aliu ka thënë: “I kam thënë Sufjanit: “A e ke dëgjuar Ikrimen duke thënë: “E kam dëgjuar Ebu Hurejrën?” Tha: “Po.” I thashë Sufjanit: “Një person ka transmetuar nga Amri, e ky nga Ikrime, e ky nga Ebu Hurejra prej Pejgamberit ﷺ se ajetin e ka lexuar kështu: “fuzia”. Sufjani ka thënë: “Kështu e ka lexuar Amri, porse nuk e di nëse e ka dëgjuar kështu apo jo.” Sufjani ka thënë: “Kështu e lexojmë ne.”