Sahihu i Buhariut — Hadithi 7490
34. Nënkapitulli: Ajeti: “... Ai ta ka shpallur atë me dijeninë e Tij; po ashtu edhe melekët dëshmojnë për këtë.”
Muxhahidi, në lidhje me ajetin: “Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre...”, (Talak, 12) ka thënë: Përmes qiellit të shtatë dhe tokës së shtatë.
7490. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi transmeton nga Hushejmi, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), për ajetin: “... Gjatë namazit, mos lexo (Kuran) me zë të lartë e as me zë tepër të ulët...”, (Isra, 110) ka thënë: “Ky ajet ka zbritur në kohën kur i Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte i fshehur në Mekë. Kur e ngrinte zërin (duke lexuar Kuran) dhe e dëgjonin idhujtarët, e shanin Kuranin, Atë që e ka zbritur dhe atë që e ka përcjellë. Prandaj, Allahu i Lartësuar tha: “... Gjatë namazit, mos lexo (Kuran) me zë të lartë...”, e të dëgjojnë idhujtarët, “... dhe as me zë tepër të ulët...”, saqë shokët e tu të mos e dëgjojnë, “... por kërko një rrugë të mesme”, në mënyrë që të dëgjojnë (shokët), por jo me zë të lartë, ashtu që ta mësojnë Kuranin prej teje.”