Sahihu i Buhariut — Hadithi 7522
42. Nënkapitulli: Ajeti: “... Dhe Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: - “Sa herë që atyre u vjen nga Zoti i tyre ndonjë paralajmërim i ri...” (Enbija, 2) - “... Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.” (Talak, 1) Fjalët e reja nga Allahu, nuk u ngjasojnë fjalëve të reja të krijesave, për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar: “... Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” (Shura, 11) Ibn Mesudi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu bën gjëra të reja, çka do Ai, kështu që prej gjërave të reja të Tij është që të mos flisni në namaz.”
7522. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Hatim ibn Verdani, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Si po i pyesni ithtarët e Librit për librat e tyre, përderisa ju e keni Librin e Allahut, më të riun nga Librat e Allahut? E lexoni të pastër dhe të pandryshuar.”