Sahihu i Buhariut — Hadithi 7523
42. Nënkapitulli: Ajeti: “... Dhe Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: - “Sa herë që atyre u vjen nga Zoti i tyre ndonjë paralajmërim i ri...” (Enbija, 2) - “... Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.” (Talak, 1) Fjalët e reja nga Allahu, nuk u ngjasojnë fjalëve të reja të krijesave, për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar: “... Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” (Shura, 11) Ibn Mesudi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu bën gjëra të reja, çka do Ai, kështu që prej gjërave të reja të Tij është që të mos flisni në namaz.”
7523. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “O ju muslimanë! Si ju shkon ndërmend t'i pyesni ithtarët e Librit, ndërsa Libri juaj, të cilin Allahu ia ka zbritur Pejgamberit tuaj ﷺ, është rrëfimi më i ri për Allahun, i pandryshuar. Ndërkaq, Allahu ju ka treguar se ithtarët e Librit i kanë zëvendësuar Librat e Allahut dhe i kanë ndryshuar e shkruar me duart e veta, pastaj kanë thënë: “Kjo është prej Allahut, që për këtë të kenë ndonjë përfitim të vogël (material). Si nuk ju ndalon dituria që ju ka zbritur që t'i pyesni ata?! E ata, betohem në Allahun se, asnjëherë, asnjëri prej tyre, nuk ju ka pyetur rreth shpalljes që ju është zbritur juve.”