Sahihu i Buhariut — Hadithi 7524
43. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Mos e lëviz gjuhën me të (Kuranin), për ta nxënë atë sa më shpejt!”
Dhe si vepronte Pejgamberi ﷺ gjatë zbritjes së shpalljes. Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: "Unë jam me robin Tim, kur ai më përmend Mua dhe i lëvizin buzët për Mua.”
7524. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Musa ibn Ebu Aishe, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke komentuar fjalën e Allahut: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde!”, (Kijame, 16) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ e përjetonte rëndë shpalljen, andaj shpejtonte gjuhën në atë që i shpallej.” Me të thënë këtë, Ibn Abasi i lëvizi buzët dhe tha: “Po i lëviz buzët para jush mu ashtu siç i lëvizte i Dërguari i Allahut ﷺ.” Edhe Seidi, gjatë transmetimit të këtij hadithi nga Ibn Abasi, i lëvizi buzët dhe tha: “Po i lëviz buzët mu ashtu siç e kam parë Ibn Abasin duke i lëvizur.” Pastaj Ibn Abasi shtoi: “Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde. Ne, do t'i tubojmë pjesët e tij (Kuranit), për ta lexuar atë (si është).” (Kijame, 16-17) Ibn Abasi thotë se kuptimi i këtij ajeti është: ta tubojmë atë në gjoksin tënd, që ti ta lexosh. Pastaj, për ajetin: “Dhe, kur ta lexojmë atë, ti vetëm përcille leximin e tij!”, (Kijame, 18) thotë: “Dëgjoje me vëmendje dhe hesht! Si dhe neve na përket të kujdesemi, që ti ta lexosh më pas.”
Që atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ, kurdo që i vente Xhibrili, e dëgjonte me vëmendje dhe, kur Xhibrili largohej, Pejgamberi ﷺ e recitonte pjesën e shpallur ashtu siç ia kishte recituar Xhibrili.”