Sahihu i Buhariut — Hadithi 7530
46. Nënkapitulli: Ajeti: “O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij;…”
Zuhriu ka thënë: "Mesazhi është prej Allahut, i Dërguari ﷺ e kishte për detyrë ta përcillte, kurse neve na mbetet t'i nënshtrohemi. Allahu i Lartësuar thotë: “Për ta ditur se ata i kanë kumtuar shpalljet e Zotit të tyre...” (Xhin, 28) Po ashtu, i Lartësuari thotë (duke cituar fjalët e pejgamberëve): “Unë jua kumtoj shpalljet e Zotit tim...” (Araf, 62) Kab ibn "Maliku, pasi nuk mori pjesë me Pejgamberin ﷺ (në Luftën e Tebukut), lexoi ajetin: “Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’i shohin veprat tuaja...” (Teube, 94) Aishja ka thënë: "Nëse të pëlqen vepra e mirë e dikujt, lexo ajetin: “Punoni, sepse Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do t’i shohin veprat tuaja...” (Teube, 105), dhe mos ke frikë nga askush. Mameri ka thënë: "Ai është Libri," domethënë: ky Kuran, "... udhëzues për të devotshmit," (Bekare, 2) domethënë: sqarim dhe udhërrëfim, sikurse fjala e Allahut: "Ky është gjykimi i Allahut," (Mumtehine, 10) edhe këtu është për qëllim gjykimi i Allahut, pra: "në të s'ka asnjë dyshim," (Bekare, 2) pra: s'ka mëdyshje. Pastaj: "Ato janë vargjet e Allahut," (Lukman, 2) janë për qëllim këto shenja (ajete) të Kuranit. I kësaj natyre është edhe ajeti: "E, kur gjenden në anije që lundron me ta me erën e përshtatshme," (Junus, 22) domethënë: lundron me ju. Enesi ka thënë: "Pejgamberi ﷺ e dërgoi dajën e tij, Haramin, te populli i tij, i cili u tha: "A ma besoni mua kumtimin e mesazhit të të Dërguarit të Allahut ﷺ? Kështu, ai filloi t’ua kumtojë."
7530. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Fadël ibn Jakubi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Xhafer Rakiu, e këtij i ka treguar Muëtemir ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Seid ibn Abdullah Thekafiu, e këtij i ka treguar Bekër ibn Abdullah Muzeniu dhe Zijad ibn Xhubejr ibn Haje, e ky nga Xhubejr ibn Haje se Mugire (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari ynë ﷺ na ka treguar për mesazhin e Zotit tonë se, kushdo që vritet nga radhët tona, shkon në Xhenet.”