Sahihu i Buhariut — Hadithi 7533

47. Nënkapitulli: Ajeti: “... Thuaj (o Muhamed!): “Silleni Tevratin dhe lexojeni...!”

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tevrati iu dha bartësve të vet (hebrenjve), të cilët punuan me të, pastaj Inxhili iu dha bartësve të vet (të krishterëve), të cilët punuan me të, ndërkaq juve u është dhënë Kurani, me të cilin punuat." Ebu Rezini për ajetin: “e lexojnë atë siç e meriton...”, (Bekare, 121) ka thënë: "E pasojnë dhe punojnë me të ashtu siç e meriton. Kurse për ajetin: “... e lexojnë...” (Nisa, 127), thuhet: "E lexon mirë, pra, e lexon mirë Kuranin. “Nuk e prek atë...” (Vakia, 79), pra, ëmbëlsinë dhe dobinë e tij e shijon vetëm ai që beson në Kuran, si dhe ia jep hakun vetëm ai që është i bindur. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata që janë obliguar me Tevrat e pastaj nuk e kanë zbatuar, i shëmbëllejnë gomarit që bart libra (por pa dobi). E, sa të këqij janë ata, të cilët i mohojnë argumentet e Allahut! E Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin zullumqar.” (Xhumua, 5) Pejgamberi ﷺ e ka quajtur Islamin, imanin (besimin) dhe namazin vepër. Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi ﷺ i ka thënë Bilalit: “Më trego për veprën më shpresëdhënëse që ke punuar në Islam.” Ai tha: "Vepra më shpresëdhënëse për mua që kam punuar është namazi që kam falur pas çdo abdesi. Po ashtu, Pejgamberi ﷺ është pyetur: "Cila është vepra më e mirë?" Ai është përgjigjur: “Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, pastaj xhihadi, pastaj haxhi i pranuar.”

7533. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kohëqëndrimi juaj (në këtë botë), në raport me umetet e tjera para jush, është sikurse koha mes ikindisë dhe perëndimit të diellit. Tevrati iu dha bartësve të vet (hebrenjve), të cilët punuan deri në mesditë, por aty ngecën, andaj u shpërblyen me nga një kirat. Inxhili iu dha bartësve të vet (të krishterëve), të cilët punuan deri në namaz të ikindisë, por aty ngecën, andaj u shpërblyen me nga një kirat. Juve ju dha Kurani, me të cilin punuat deri në perëndim të diellit, andaj u shpërblyet me nga dy kiratë. Ithtarët e dy librave thonë:
- Këta kanë punuar më pak se ne, porse janë shpërblyer më shumë.
- A mos vallë ju kam bërë padrejtësi sa i përket shpërblimit tuaj? - u thotë Allahu Fuqiplotë.
- Jo, - thonë ata.
- E po, kjo është mirësia Ime, ia jap kujt të dua, - thotë Allahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7533

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?