Sahihu i Buhariut — Hadithi 7553
55. Nënkapitulli: Ajeti: “Përkundrazi, ai është Kuran i Lavdishëm. I shkruar në Levhi Mahfudh (në Pllakën e Ruajtur).”
Për ajetin: "Betohem për malin Tur, dhe për Librin në rreshta," (Tur, 1-2) Katade ka thënë: Domethënë: Librin e shkruar (në rreshta). Allahu i Lartësuar ka thënë: “... dhe ai nuk thotë asnjë fjalë…” (Kaf, 18), pra, çdo gjë që flet, i shkruhet. Ibn Abasi ka thënë: I shkruhet e mira dhe e keqja. Ajeti: “… që ndryshojnë fjalët (e Zotit)…”, (Nisa, 46) nënkupton: pra, i heqin ato. Ç'është e vërteta, askush nuk heq ndonjë fjalë prej librave të Allahut, mirëpo e ndryshojnë atë, duke e komentuar ndryshe nga kuptimi i vërtetë.
7553. Nga: Ebu Hurejra
Halife ibn Hajati më ka thënë: Na ka treguar Mameri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e ky nga Katadja, e ky nga Ebu Rafiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur Allahu i krijoi krijesat, në Librin, që gjendet tek Ai, mbi Arsh, shkroi: “Mëshira Ime ka mbizotëruar, - ose ka thënë: ia ka kaluar, - zemërimin Tim.”