Sahihu i Buhariut — Hadithi 7554

55. Nënkapitulli: Ajeti: “Përkundrazi, ai është Kuran i Lavdishëm. I shkruar në Levhi Mahfudh (në Pllakën e Ruajtur).”

Për ajetin: "Betohem për malin Tur, dhe për Librin në rreshta," (Tur, 1-2) Katade ka thënë: Domethënë: Librin e shkruar (në rreshta). Allahu i Lartësuar ka thënë: “... dhe ai nuk thotë asnjë fjalë…” (Kaf, 18), pra, çdo gjë që flet, i shkruhet. Ibn Abasi ka thënë: I shkruhet e mira dhe e keqja. Ajeti: “… që ndryshojnë fjalët (e Zotit)…”, (Nisa, 46) nënkupton: pra, i heqin ato. Ç'është e vërteta, askush nuk heq ndonjë fjalë prej librave të Allahut, mirëpo e ndryshojnë atë, duke e komentuar ndryshe nga kuptimi i vërtetë.

7554. Nga: Ebu Hurejra

Muhamed ibn Ebu Galibi më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Ismaili, e këtij i ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Rafiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Para se t'i krijojë krijesat, Allahu shkroi: “Mëshira Ime ia ka kaluar zemërimit Tim. Këto fjalë janë të shkruara tek Ai, mbi Arsh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7554

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?