Sahihu i Buhariut — Hadithi 7555

56. Nënkapitulli: Ajeti: “E Allahu ju krijoi ju edhe atë që e punoni.”

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne çdo send e kemi krijuar me masë të caktuar.” (Kamer, 49) Piktorëve do t'u thuhet: “Jepuni jetë atyre që i krijuat (pikturuat)!” Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Vërtet, Zoti juaj, Allahu, është Ai që krijoi qiejt dhe Tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arsh. Ai e mbulon ditën me natë, që me të shpejtë e kërkon atë (mbulimin e dritës së ditës), edhe Dielli, edhe Hëna e edhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe urdhri. I Madhëruar është Allahu, Zoti i botëve.” (Araf, 54) Ibn Ujejne ka thënë: "Allahu e ka dalluar krijimin prej urdhrit, sepse ka thënë: “... Atij i takon krijimi dhe urdhri...” (Araf, 54) Pejgamberi ﷺ e ka quajtur imanin (besimin) vepër. Ebu Dherri dhe Ebu Hurejra tregojnë se Pejgamberi ﷺ është pyetur: "Cila është vepra më e mirë?" Ai ka thënë: “Besimi në Allahun dhe xhihadi në rrugën e Tij.” Po ashtu, Allahu ka thënë: “Si shpërblim për atë që e kanë vepruar.” (Sexhde, 17) Delegacioni i fisit abdulkajs Pejgamberit ﷺ i thanë: "Na urdhëro disa gjëra, që, nëse i veprojmë, do të hyjmë në Xhenet. Kështu, Pejgamberi ﷺ i urdhëroi të besojnë, të dëshmojnë shehadetin, të falin namazin dhe të japin zekatin. Pra, të gjitha këto i konsideroi vepra."

7555. Nga: Ebu Musa Eshariu

Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe dhe Kasim Temimi se Zehdemi tregon: “Mes kësaj lagjeje të Xhurmit dhe esharinjve mbretëronte dashuri dhe vëllazëri. Kështu, njëherë, ishim tek Ebu Musa Eshariu, të cilit i sollën ushqim me mish pule. I ftuar për ushqim ishte edhe një burrë nga fisi benu tejmullah, - i cili dukej të ishte nga të çrobëruarit. - Ai tha: “Unë e kam parë pulën të hajë diçka që më ka bërë të neveritem, andaj jam betuar se s'do të ha më pulë.”
Ebu Musai i tha: “Eja të të tregoj për këtë: Patëm shkuar tek i Dërguari i Allahut ﷺ me ca pjesëtarë të fisit eshari, për t'i kërkuar kafshë për bartje, por ai na pati thënë: “Betohem në Allahun se nuk do t'ju jap, por as kam me se t'ju bart.” Kështu, Pejgamberit ﷺ i arriti një plaçkë e luftës që përmbante edhe një tufë devesh, andaj pyeti për ne: “Ku janë ai grupi i esharinjve?” Pastaj, urdhëroi të na jepen pesë deve gungëbardha (të majme). Kur u nisëm, thamë: “Çfarë bëmë! I Dërguari i Allahut ﷺ qe betuar se nuk do të na bartte dhe se nuk posedonte gjë për bartje, megjithatë na dha kafshë për bartje!?” Ndërkohë, ne harruam betimin e tij. Për Allahun, nuk do të shpëtojmë kurrë! Andaj, u kthyem dhe ia përmendëm këtë. Pejgamberi ﷺ tha: “Nuk ju mora unë, por Allahu jua mundësoi të vini. Betohem në Allahun se, kur betohem për diçka, ndërkohë kuptoj se ka një zgjidhje më të mirë, atëherë veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7555

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?