Sahihu i Buhariut — Hadithi 7556
56. Nënkapitulli: Ajeti: “E Allahu ju krijoi ju edhe atë që e punoni.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne çdo send e kemi krijuar me masë të caktuar.” (Kamer, 49) Piktorëve do t'u thuhet: “Jepuni jetë atyre që i krijuat (pikturuat)!” Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Vërtet, Zoti juaj, Allahu, është Ai që krijoi qiejt dhe Tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arsh. Ai e mbulon ditën me natë, që me të shpejtë e kërkon atë (mbulimin e dritës së ditës), edhe Dielli, edhe Hëna e edhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe urdhri. I Madhëruar është Allahu, Zoti i botëve.” (Araf, 54) Ibn Ujejne ka thënë: "Allahu e ka dalluar krijimin prej urdhrit, sepse ka thënë: “... Atij i takon krijimi dhe urdhri...” (Araf, 54) Pejgamberi ﷺ e ka quajtur imanin (besimin) vepër. Ebu Dherri dhe Ebu Hurejra tregojnë se Pejgamberi ﷺ është pyetur: "Cila është vepra më e mirë?" Ai ka thënë: “Besimi në Allahun dhe xhihadi në rrugën e Tij.” Po ashtu, Allahu ka thënë: “Si shpërblim për atë që e kanë vepruar.” (Sexhde, 17) Delegacioni i fisit abdulkajs Pejgamberit ﷺ i thanë: "Na urdhëro disa gjëra, që, nëse i veprojmë, do të hyjmë në Xhenet. Kështu, Pejgamberi ﷺ i urdhëroi të besojnë, të dëshmojnë shehadetin, të falin namazin dhe të japin zekatin. Pra, të gjitha këto i konsideroi vepra."
7556. Nga: Abdullah ibn Abasi
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e këtij i ka treguar Kurra ibn Halidi, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra Dubaiu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur delegacioni i fisit abdulkajs erdhën tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i thanë: “Mes nesh dhe jush gjenden jobesimtarët e mudarit, andaj nuk po mund të vijmë, përveçse në muajt e shenjtë. Na urdhëro diçka konkrete, që, nëse punojmë me të, hyjmë në Xhenet dhe t'i ftojmë ata që i kemi lënë mbrapa.”
Pejgamberi ﷺ u tha: “Jua urdhëroj katër gjëra dhe jua ndaloj katër të tjera. Ju urdhëroj:
1. Të besoni në Allahun. A e dini ç'është besimi në Allahun? Dëshmia se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut,
2. Ta falni namazin,
3. Ta jepni zekatin dhe
4. Të jepni një të pestën nga plaçka e luftës.
Jua ndaloj katër gjëra: mos pini nga ajo që përgatitet në enë prej kungulli, varelë, vorbë të katranosur dhe shtambë.”