Sahihu i Buhariut — Hadithi 7558

56. Nënkapitulli: Ajeti: “E Allahu ju krijoi ju edhe atë që e punoni.”

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne çdo send e kemi krijuar me masë të caktuar.” (Kamer, 49) Piktorëve do t'u thuhet: “Jepuni jetë atyre që i krijuat (pikturuat)!” Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Vërtet, Zoti juaj, Allahu, është Ai që krijoi qiejt dhe Tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arsh. Ai e mbulon ditën me natë, që me të shpejtë e kërkon atë (mbulimin e dritës së ditës), edhe Dielli, edhe Hëna e edhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe urdhri. I Madhëruar është Allahu, Zoti i botëve.” (Araf, 54) Ibn Ujejne ka thënë: "Allahu e ka dalluar krijimin prej urdhrit, sepse ka thënë: “... Atij i takon krijimi dhe urdhri...” (Araf, 54) Pejgamberi ﷺ e ka quajtur imanin (besimin) vepër. Ebu Dherri dhe Ebu Hurejra tregojnë se Pejgamberi ﷺ është pyetur: "Cila është vepra më e mirë?" Ai ka thënë: “Besimi në Allahun dhe xhihadi në rrugën e Tij.” Po ashtu, Allahu ka thënë: “Si shpërblim për atë që e kanë vepruar.” (Sexhde, 17) Delegacioni i fisit abdulkajs Pejgamberit ﷺ i thanë: "Na urdhëro disa gjëra, që, nëse i veprojmë, do të hyjmë në Xhenet. Kështu, Pejgamberi ﷺ i urdhëroi të besojnë, të dëshmojnë shehadetin, të falin namazin dhe të japin zekatin. Pra, të gjitha këto i konsideroi vepra."

7558. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit piktorët e këtyre pikturave (të frymorëve) do të dënohen dhe do t'u thuhet: “Jepuni jetë gjërave që i keni krijuar (pikturuar).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7558

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?