Hadithet e ngjashme me hadithin 1948

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

1948. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Mensuri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u nis prej Medinës për në Mekë dhe agjëroi derisa arriti te vendi Usfan. Më pas kërkoi ujë, e ngriti enën me dorën e tij, në mënyrë që ta shihnin njerëzit dhe e prishi agjërimin, derisa arriti në Mekë. Kjo ishte në Ramazan.

Ibn Abasi thoshte: “I Dërguari i Allahut ﷺ edhe agjëronte, edhe hante (në udhëtim), andaj, kush të dojë, le të agjërojë, e, kush të dojë, le të hajë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1948

Fjalë të panjohura?

1944. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gjatë Ramazanit i Dërguari i Allahut ﷺ u nis për në Mekë dhe agjëroi derisa arriti në vendin Kedid, ku e ndërpreu agjërimin. Kështu vepruan edhe të tjerët.

Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Kedidi është burim mes Usfanit dhe Kudejdit (afër Mekës).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1944

Fjalë të panjohura?