30. Agjërimi
1. Nënkapitulli: Obligueshmëria e agjërimit të Ramazanit
Fjala e Allahut të Madhëruar: “O ju që besuat, ju është bërë obligim agjërimi sikurse që ishte obligim ndaj atyre para jush, që të jeni më të devotshëm.” (Bekare, 183)
1891. Nga: Talha ibn Ubejdullahu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Ebu Suhejli, e ky nga babai i tij se Talha ibn Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një beduin flokëshprishur erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut, më trego çka më ka obliguar Allahu në lidhje me namazin?
- “Pesë namazet, përveç nëse shton diçka vullnetarisht”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- Më trego çka më ka obliguar Allahu në lidhje me agjërimin?
- “Muajin Ramazan, përveç nëse shton diçka vullnetarisht.”
- Më trego çka më ka obliguar Allahu në lidhje me zekatin?
Dhe, pasi i Dërguari i Allahut ﷺ ia tregoi rregullat e Islamit, ai tha: “Betohem në Atë që të ka nderuar se as do të shtoj gjë, as do të lë mangët këto që m'i ka obliguar Allahu.”
Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Do të shpëtojë, nëse e ka përnjëmend, - ose ka thënë: Do të hyjë në Xhenet, nëse e ka përnjëmend -.”
1892. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ e ka agjëruar Ashuren (ditën e dhjetë të muharremit) dhe ka urdhëruar të agjërohet. Ndërkaq, kur u obligua Ramazani, agjërimi i Ashures u la.
Nafiu tregon se Abdullahu nuk e agjëronte atë, përveç nëse përputhej me agjërimin e tij vullnetar.
1893. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Jezid ibn Ebu Habibi, e këtij i ka treguar Irak ibn Maliku, e këtij i ka treguar Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në periudhën paraislame kurejshët e agjëronin ditën e Ashures. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi që të agjërohet, derisa u obligua agjërimi i Ramazanit. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kush dëshiron, le ta agjërojë (ditën e Ashures), e, kush nuk dëshiron, le të hajë.”
2. Nënkapitulli: Vlera e agjërimit
1894. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Agjërimi është mburojë, andaj (agjëruesi) të mos flasë fjalë të ndyta e as të mos sillet me injorancë. Nëse dikush e sulmon ose e shan, le t'i thotë: “Unë jam agjërues!” - dy herë. Betohem në Atë, në Dorën e Cilit është shpirti im, se era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu i Madhëruar sesa era e myshkut. (Allahu thotë:) "Ai e lë ushqimin, pijen dhe epshin e vet për Mua, agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ndërsa e mira shpërblehet dhjetëfish.”
3. Nënkapitulli: Agjërimi i fshin mëkatet
1895. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Xhamiu, e ky nga Ebu Vaili se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omeri pyeti:
- Kush e mban në mend hadithin e Pejgamberit ﷺ rreth fitneve (trazirave)?
Hudhejfe tha: “Unë e kam dëgjuar duke thënë: “Fitnet e njeriut në familjen, pasurinë dhe fqinjët e tij shlyhen nga namazi, agjërimi dhe sadakaja e tij.”
- Nuk është kjo që po kërkoj. E kam fjalën për fitnen, e cila do të trazohet siç trazohet deti, - tha Omeri.
- Para saj është një derë e mbyllur, - i thashë.
- A do të thyhet kjo derë, vallë, apo do të hapet? - pyeti Omeri.
- Do të thyhet.
- Pra, është afër mendjes se nuk do të mbyllet më deri në Ditën e Kiametit, - tha Omeri.
Mesrukut i thanë: “Pyete (Hudhejfën) a e dinte Omeri kush është ajo derë?”
Hudhejfe iu përgjigj: “Po, ashtu siç e dinte se të sotmen e pason e nesërmja.”
4. Nënkapitulli: Rejani, porta e agjëruesve në Xhenet
1896. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në Xhenet është një portë që quhet Rejan, nëpër të cilën, Ditën e Kiametit, do të hyjnë vetëm agjëruesit e, përveç tyre, nuk do të hyjë askush tjetër. Do të thirret: “Ku janë agjëruesit?” Ata ngrihen (dhe hyjnë) e, përveç tyre, askush nuk hyn nëpër të. Pasi të hyjnë, mbyllet dhe më askush nuk hyn përmes saj.”
1897. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Më ka treguar Meani, e këtij i ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra ( Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që i dhuron dy lloje të pasurisë në rrugën e Allahut, thirret nga portat e Xhenetit: “O rob i Allahut, kjo është vepër e mirë!” Kështu, ai që i përkushtohet namazit, thirret nga porta e namazit. Ai që i përkushtohet xhihadit, thirret nga porta e xhihadit. Ai që i përkushtohet agjërimit, thirret nga porta Rejan. Dhe, ai që i përkushtohet dhënies së lëmoshës, thirret nga porta e lëmoshës.”
Ebu Bekri tha: “Kurban t'u bëfsha me babë e nënë, o i Dërguari i Allahut, nuk ka asgjë të keqe nëse dikush thirret prej të gjitha portave. A thirret ndokush nga të gjitha këto porta?”
- “Po, dhe shpresoj që ti të jesh njëri prej tyre”, - tha Pejgamberi ﷺ.
5. Nënkapitulli: A thuhet: Ramazani apo muaji Ramazan, si dhe ata që i lejojnë të dyja
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që agjëron Ramazanin”, dhe ka thënë: “Mos i paraprini Ramazanit.”
1898. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Ebu Suhejli, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të vijë Ramazani, hapen portat e Xhenetit.”
1899. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri më ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Ebu Enesi, i çrobëruari i fisit tejmij, e këtij i ka treguar babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të hyjë muaji Ramazan, hapen portat e qiellit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.”
1900. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Kur ta shihni hënën e Ramazanit, agjëroni, e, kur ta shihni hënën e shevalit, hani (bëni Bajram). Nëse është vranët (dhe nuk e shihni), plotësojeni muajin (tridhjetë ditë).”
Dikush tjetër ka transmetuar nga Lejthiu: “Më ka treguar Ukajli dhe Junusi: “(është fjala) për hënën e Ramazanit.”
6. Nënkapitulli: Ai që e agjëron Ramazanin duke besuar, duke llogaritur shpërblimin dhe duke pasur nijetin
Aishja transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të ringjallen sipas nijeteve të tyre.”
1901. Nga: Ebu Hurejra
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që falet Natën e Kadrit, duke besuar dhe llogaritur shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës. Atij që agjëron Ramazanin duke besuar dhe llogaritur shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”
7. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ ka qenë më bujari në Ramazan
1902. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihab Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka qenë njeriu më bujar në vepra të mira, e bujaria e tij arrinte kulmin gjatë Ramazanit, kur e takonte Xhibrili. Xhibrili e takonte çdo natë Ramazani, deri në fund, dhe Pejgamberi ﷺ ia lexonte atij Kuranin. Gjatë kohës sa takohej me Xhibrilin ﷺ, në vepra të mira bëhej më bujar sesa era që fryn (plot mirësi).”
8. Nënkapitulli: Kush nuk i lë fjalët e këqija dhe punët e tilla gjatë agjërimit
1903. Nga: Ebu Hurejra
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Seid Makburi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Allahu nuk ka nevojë që të lërë ushqimin dhe pijen ai që nuk i lë fjalët dhe punët e këqija (gjatë agjërimit).”
9. Nënkapitulli: Nëse dikush e shan agjëruesin, ai thotë: "Unë jam agjërues!"
1904. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai, e ky nga Ebu Salih Zejati se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë, andaj, ditën që dikush agjëron, të mos thotë fjalë të ndyta e as të mos bërtasë. Nëse dikush e shan ose e sulmon, le të thotë: “Unë jam agjërues!” Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e myshkut. Agjëruesi i ka dy gëzime: gëzohet kur të bëjë iftar dhe gëzohet kur ta takojë Zotin për agjërimin e tij.”
10. Nënkapitulli: Agjërimi i atij që frikësohet për veten nga rreziqet e beqarisë
1905. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Abdani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Hamzai, e ky nga Ameshi, e ky nga Ibrahimi se Alkame tregon: “Ndërsa ecja me Abdullahun (Allahu qoftë i kënaqur me të!), më tha: “Teksa rrinim me Pejgamberin ﷺ, na tha: “Ai që i ka mundësitë, le të martohet, sepse e ka më të lehtë uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit. Ndërkaq, ai që nuk i ka mundësitë, le të agjërojë, sepse ai ia shuan epshin.”
11. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Kur ta shihni hënën e Ramazanit, agjëroni, e, kur ta shihni hënën e shevalit, hani.”
Sile transmeton nga Amari se ka thënë: "Ai që e agjëron ditën e dyshimtë, vetëm se e ka kundërshtuar Ebu Kasimin ﷺ."
1906. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e përmendi Ramazanin dhe tha: “Mos agjëroni, derisa ta shihni hënën e Ramazanit dhe mos hani (mos bëni Bajram), derisa ta shihni hënën e shevalit. Nëse është vranët, plotësojeni muajin (tridhjetë ditë).”
1907. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Muaji është njëzet e nëntë net. Mos agjëroni, derisa ta shihni hënën e Ramazanit, e, nëse është vranët, plotësojeni muajin me tridhjetë (ditë).”
1908. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Xhebele ibn Suhejmi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Muaji është kaq e kaq”, (bëri me duar, duke aluduar në numrin njëzet e nëntë) dhe, herën e tretë, e mblodhi gishtin e madh (duke aluduar në numrin nëntë).
1909. Nga: Ebu Hurejra
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Zijadi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ, - ose ka thënë: “Ebu Kasimi ﷺ, - ka thënë: “Agjëroni kur ta shihni hënën e Ramazanit dhe hani (bëni Bajram) kur ta shihni hënën e shevalit. Nëse është vranët, plotësojeni shabanin me tridhjetë (ditë).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1909
Fjalë të panjohura?
1910. Nga: Umu Seleme
Ebu Asimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Xhurejxhi, e ky nga Jahja ibn Abdullah ibn Sajfiu, e ky nga Ikrime ibn Abdurrahmani se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u betua se nuk do t'u afrohej grave të veta një muaj. Kur kaluan njëzet e nëntë ditë, shkoi (tek ato) në mëngjes, - ose ka thënë: në mbrëmje. - I thanë: “Ti je betuar se nuk do të shkosh (tek ato) për një muaj.” Ai tha: “Muaji është njëzet e nëntë ditë.”
1911. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u betua se nuk do t'u afrohej grave të veta (për një muaj) dhe, gjatë asaj periudhe e lëndoi këmbën e i doli nga vendi. Kështu, ai qëndroi në qilarin e tij njëzet e nëntë net, pastaj doli (dhe shkoi te gratë e tij).” Disa i thanë: “O i Dërguari i Allahut, je betuar se nuk do t'u afrohesh grave një muaj.” Ai tha: “Muaji është njëzet e nëntë (ditë).”
12. Nënkapitulli: Dy muajt e Bajramit nuk janë të mangët (në shpërblim)
Ebu Abdullahu (Buhariu) transmeton nga Is’haku se ka thënë: "Nëse është i mangët (njëzet e nëntë ditë), ai është i plotë (në shpërblim)." Muhamedi ka thënë: "Nuk ndodh që brenda një viti të dy të jenë të mangët."
1912. Nga: Ebu Bekrete
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar Is'hakun, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Bekre, e ky nga babai i tij se Pejgamberi ﷺ. [t]: Musededi më ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga Halid Hadhai, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahman ibn Ebu Bekrete se babai i tij Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dy muaj, - muajt e Bajramit, - nuk janë të mangët: Ramazani dhe dhul hixhe.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1912
Fjalë të panjohura?
13. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “As shkruajmë, as llogarisim.”
1913. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Esved ibn Kajsi, e këtij i ka treguar Seid ibn Amri se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ne jemi umet analfabet: as shkruajmë, as llogarisim. Muaji është kaq e kaq.” Pra, herë është njëzet e nëntë, herë është tridhjetë (ditë).
14. Nënkapitulli: Ramazani nuk bën të paraprihet duke agjëruar një ose dy ditë
1914. Nga: Ebu Hurejra
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Asnjëri prej jush të mos i paraprijë Ramazanit duke agjëruar një ose dy ditë, përveç nëse ndokush agjëron ditë të caktuara (vullnetare dhe qëllon në ato ditë), le të agjërojë atë ditë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1914
Fjalë të panjohura?
15. Nënkapitulli: Ajeti kuranor: “Natën e agjërimit ju është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për to. Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj jua pranoi pendimin tuaj dhe jua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që jua ka caktuar Allahu...”
1915. Nga: Bera ibn Azibi
Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur ndonjëri prej shokëve të Muhamedit ﷺ ishte agjërueshëm, ndërkohë vinte iftari e këtë e merrte gjumi para se të bënte iftar, nuk i lejohej të hante atë natë e as ditën në vijim deri në iftarin tjetër.”
Kështu, Kajs ibn Sirmete Ensariu ishte agjërueshëm dhe, kur u bë iftari, shkoi te gruaja e tij dhe e pyeti:
- A ka ushqim?
- Jo, por po dal të kërkoj, - tha ajo.
Atë ditë ai kishte punuar, kështu që e kishte marrë gjumi (duke pritur). Kur vajti gruaja e tij dhe e pa duke fjetur, tha: “Sa keq për ty!” Të nesërmen, në mesditë, i ra të fikët. I treguan Pejgamberit ﷺ, e në atë rast zbriti ky ajet: “Natën e agjërimit ju është lejuar afrimi te gratë tuaja...” Ata u gëzuan shumë dhe zbriti edhe ajeti: “... dhe hani e pini derisa të dallohet peri i bardhë nga peri i zi...” (Bekare, 187)
16. Nënkapitulli: Ajeti kuranor: “… dhe hani e pini derisa të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje…”
Këtë e transmeton Berai nga Pejgamberi ﷺ.
1916. Nga: Adij ibn Hatimi
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Husajn ibn Abdurrahmani, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “... derisa të dallohet peri i bardhë nga peri i zi...”, mora një litar të zi e një të bardhë dhe i lashë nën jastëkun tim. Gjatë natës i shikoja, por nuk i dalloja. Në mëngjes shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tregova, e në atë rast më tha: “Fjala është për errësirën e natës dhe dritën e ditës.”
1917. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij, e ky nga Sehël ibn Sadi. [t]: Seid ibn Ebu Merjemi më ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, Muhamed ibn Mutarrifi, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi zbriti ajeti: “... dhe hani e pini derisa të dallohet peri i bardhë nga peri i zi...”, ende pa zbritur ajeti: “... në agim...”, kur dikush donte të agjëronte, në këmbën e tij lidhte një pe të bardhë dhe një të zi. Kështu, vazhdonte të hante derisa dallonte njërin pe nga tjetri. Pasi Allahu e zbriti: “... në agim...”, atëherë e kuptuan se ishte për qëllim nata dhe dita.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1917
Fjalë të panjohura?
17. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Mos t’jua ndërpresë syfyrin ezani i Bilalit.”
1918. Nga: Aishe bint Ebu Bekri - Abdullah ibn Omeri
1918, 1919 - Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri dhe Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Ngaqë Bilali e thërriste ezanin gjatë natës (para agimit), i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Hani e pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Umu Mektumi, sepse ai nuk e thërret ezanin pa zbardhur agimi.”
Kasimi shton: “Koha mes dy ezanëve ishte sa të ngjitej ky (në vendin e ezanit) e të zbriste ai.”
1919. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
1918, 1919
Referenca: Sahihu i Buhariut 1919
Fjalë të panjohura?
18. Nënkapitulli: Vonimi i syfyrit
1920. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Muhamed ibn Ubejdullahu na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Hazimi, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Haja syfyr me familjen time, pastaj nxitoja për ta zënë namazin e sabahut me të Dërguarin e Allahut ﷺ.”
19. Nënkapitulli: Sa ka qenë koha mes syfyrit dhe namazit të sabahut?
1921. Nga: Zejd ibn Thabiti
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Zejd ibn Thabiti ka thënë: “Hëngrëm syfyr me Pejgamberin ﷺ, pastaj ai u ngrit për namaz.” Unë e pyeta:
- Sa ka qenë koha mes ezanit dhe syfyrit?
- Sa t'i lexoje pesëdhjetë ajete, - tha Zejdi.”
20. Nënkapitulli: Begatia e syfyrit, ndonëse nuk është obligim (ngrënia e tij)
Pejgamberi ﷺ dhe sahabët e lidhnin agjërimin (disa ditë rresht, pa iftar e pa syfyr), e nuk është përmendur syfyri.
1922. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ e lidhte agjërimin (disa ditë rresht, pa iftar e pa syfyr). Kështu vepronin edhe sahabët, por, ngaqë e kishin të vështirë, ai ﷺ ua kishte ndaluar.” Ata i thanë: “Ti po e lidh agjërimin.” Ai tha: “Unë nuk jam sikurse ju, sepse Allahu vazhdimisht më ushqen dhe më jep të pi.”
1923. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Hani syfyr, sepse në syfyr ka begati.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1923
Fjalë të panjohura?
21. Nënkapitulli: Nëse gjatë ditës vendos për të agjëruar
Umu Derdai tregon se Ebu Derdai pyeste: "A keni ushqim?" Nëse i thoshim jo, ai thoshte: "E po, po agjëroj sot. Kështu vepronin Ebu Talhai, Ebu Hurejra, Ibn Abasi dhe Hudhejfe."
1924. Nga: Seleme ibn Ekvai
Ebu Asimi transmeton nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ditën e Ashures dërgoi një njeri për t'i lajmëruar njerëzit: “Ai që ka ngrënë, le të agjërojë (pjesën e mbetur të ditës), (ai që ka filluar të agjërojë) le ta plotësojë agjërimin, e ai që nuk ka ngrënë, të mos hajë.”
22. Nënkapitulli: Nëse agjëruesi gdhihet xhunub (i papastër)
1925. Nga: Aishe bint Ebu Bekri - Umu Seleme
1925 - 1926 - Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekër ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hisham ibn Mugires, e ky e ka dëgjuar Ebu Bekër ibn Abdurrahmanin të ketë thënë: Kam qenë me babanë tim kur kemi hyrë tek Aishja dhe Umu Seleme. [t]: Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hishami se babai i tij Abdurrahman ibn Harithi i ka treguar Mervanit se Aishja dhe Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me to!) i rrëfyen se ndodhte që të Dërguarin e Allahut ﷺ ta zinte sabahu duke qenë xhunub për shkak të marrëdhënieve me gratë e tij, pastaj lahej dhe agjëronte.
Mervani i tha Abdurrahman ibn Harithit: “Të përbej në Allahun që këtë t'ia tregosh Ebu Hurejrës. Atëkohë Mervani ishte emir i Medinës.”
Ebu Bekër ibn Abdurrahmani thotë: “Abdurrahmanit nuk i pëlqente kjo. Dikur, me caktimin e Allahut, u takuam në Dhul Hulejfe, ku Ebu Hurejra kishte një tokë.” Abdurrahmani i tha Ebu Hurejrës: “Do të të them një gjë, por, sikur të mos ishte betimi i Mervanit, nuk do të ta përmendja, - dhe ia citoi fjalën e Aishes e të Umu Selemes.” Ebu Hurejra tha: “Kështu më ka treguar Fadël ibn Abasi, por ato e dinë më mirë.”
Hemami dhe Ibn Abdullah ibn Omeri transmetojnë nga Ebu Hurejra se ka thënë: “Pejgamberi ﷺ urdhëronte që të mos agjëronte (ai që e zinte sabahu duke qenë xhunub).”
Imam Buhariu thotë: “Hadithi i parë është më i fortë.”
1926. Nga: Aishe bint Ebu Bekri - Umu Seleme
1925 - 1926
23. Nënkapitulli: Përqafimi (i grave) për agjëruesin
Aishja ka thënë: Agjëruesit i ndalohet vetëm organi i bashkëshortes.
1927. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ i puthte dhe i përqafonte gratë e tij duke qenë agjërueshëm. Po cili prej jush e përmban epshin si ai?”
Xhabir ibn Zejdi thotë: “Nëse agjëruesi shikon (me epsh) dhe ejakulon, e plotëson agjërimin.”
24. Nënkapitulli: Puthja për agjëruesin
1928. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij, e ky nga Aishja, e kjo nga Pejgamberi ﷺ. [t]: Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ puthte ndonjërën prej grave të tij duke qenë agjërueshëm. Pastaj (ajo) qeshi.”
1929. Nga: Umu Seleme
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hisham ibn Ebu Abdullahu, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Zejnebe bint Umu Seleme se nëna e saj Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa unë dhe i Dërguari i Allahut ﷺ ishim të mbuluar me një batanije, më erdhën menstruacionet, andaj u largova fshehurazi. I vesha rrobat e kohës së menstruacioneve, ndërsa Pejgamberi ﷺ më tha: “Çfarë ke, a të erdhën menstruacionet?”
- Po, - i thashë. Dhe sërish hyra me të nën batanije.
Zejnebja, e bija e Umu Selemes, tregon: “Umu Seleme dhe i Dërguari i Allahut ﷺ laheshin (së bashku) nga e njëjta enë dhe e puthte atë duke qenë agjërueshëm.”
25. Nënkapitulli: Larja e agjëruesit
Ibn Omeri e lagte rrobën dhe pastaj mbulohej me të duke qenë agjërueshëm. Shabiu ka hyrë në hamam duke qenë agjërueshëm. Ibn Abasi ka thënë: "Lejohet kërkimi (shijimi) i ushqimit nga tenxherja ose diçka tjetër (me gjuhë)." Haseni ka thënë: "Lejohet shpëlarja e gojës dhe freskimi për agjëruesin." Ibn Mesudi ka thënë: "Kur dikush prej jush agjëron, le të gdhihet me flokë të vajosur dhe të krehur." Enesi ka thënë: "Unë kam një pellg me ujë në të cilin hyj duke qenë agjërueshëm. Përmendet se Pejgamberi ﷺ ka pastruar dhëmbët me misvak duke qenë agjërueshëm." Ibn Omeri ka thënë: "Agjëruesi i pastron dhëmbët me misvak edhe në fillim të ditës, edhe në fund të saj, por nuk e gëlltit pështymën." Atai ka thënë: "Nëse e gëlltit pështymën, nuk them se e prish agjërimin." Ibn Sirini ka thënë: "Lejohet të përdoret misvaku i njomë." I thanë: "Ai ka shije." Ai tha: "Edhe uji ka shije, e ti e shpëlan gojën me të. Enesi, Haseni dhe Ibrahimi e lejonin kuhlin për agjëruesin."
1930. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve dhe Ebu Bekri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ndonjëherë Pejgamberin ﷺ e zinte sabahu në Ramazan duke qenë xhunub (nga marrëdhëniet intime e) jo nga ëndrrat, pastaj pastrohej dhe agjëronte.”
1931. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekër ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hisham ibn Mugires, se Ebu Bekër ibn Abdurrahmani tregon: “Unë dhe babai im shkuam tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila na tha: “Dëshmoj se i Dërguari i Allahut ﷺ ndonjëherë gdhihej duke qenë xhunub nga marrëdhëniet intime, e jo nga ëndrrat, pastaj agjëronte.”
1932. Nga: Umu Seleme
Ebu Bekër ibn Abdurrahmani thotë: “Pastaj shkuam edhe tek Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila na tregoi të njëjtën gjë.”
26. Nënkapitulli: Kur agjëruesi ha e pi nga harresa
Atai ka thënë: "Nëse e shpëlan hundën dhe uji i shkon në fyt, e nuk mund ta kthejë, nuk prish punë." Haseni ka thënë: "Nëse miza i futet në fyt, nuk prish punë." Haseni dhe Muxhahidi kanë thënë: "Nëse ka bërë marrëdhënie intime me harresë, nuk prish punë."
1933. Nga: Ebu Hurejra
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse ha e pi nga harresa, le ta plotësojë agjërimin, se Allahu e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.”
27. Nënkapitulli: Misvaku i njomë dhe i thatë për agjëruesin
Tregohet se Amir ibn Rebia ka thënë: "E kam parë Pejgamberin ﷺ duke pastruar dhëmbët me misvak duke qenë agjërueshëm, aq shumë, sa nuk mund t'i llogaris e as t'i numëroj." Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos frikohesha se do ta ngarkoja umetin tim, do t’i urdhëroja t’i pastronin dhëmbët për çdo abdes.” Ngjashëm transmeton Xhabiri dhe Zejd ibn Halidi nga Pejgamberi ﷺ se nuk e ka veçuar agjëruesin nga joagjëruesi. Aishja transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Misvaku është pastrim për gojën dhe kënaqësi për Zotin.” Atai dhe Katadja kanë thënë: "Bën ta gëlltisë pështymën."
1934. Nga: Othman ibn Afani
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ata ibn Jezidi se Humrani ka thënë: “E kam parë Othmanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke marrë abdes: fillimisht i lau duart tri herë, pastaj shpëlau gojën e hundën dhe e lau fytyrën tri herë. Lau dorën e djathtë deri në bërryl tri herë, pastaj edhe të majtën deri në bërryl tri herë. I dha mes'h kokës, pastaj lau këmbën e djathtë tri herë dhe të majtën tri herë.” Në fund tha: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke marrë abdes siç mora abdes unë, e pastaj ka thënë: “Atij që merr abdes në këtë formë dhe i fal dy rekate, pa u shpërqendruar, i falen mëkatet e së kaluarës.”
28. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Kur të marrë abdes, le të fusë ujë në hundë.” Nuk bëri dallim mes agjëruesit dhe jo agjëruesit.
Haseni ka thënë: "Lejohen pikat e hundës për agjëruesin, nëse nuk arrijnë në fyt dhe lejohet lyerja me kuhl." Atai ka thënë: "Nëse e shpëlan gojën, pastaj e nxjerr ujin nga goja, nuk i bën dëm, me kusht të mos e gëlltisë pështymën dhe atë që i ka mbetur në gojë. Nuk i lejohet të gëlltisë ilkun, e, nëse e gëlltit pështymën e ilkut, nuk them se e prish, mirëpo ndalohet. Nëse e fut ujin në hundë e i shkon në fyt, nuk prish punë, se nuk ka pasur mundësi (ta ndalë)."
29. Nënkapitulli: Nëse bën marrëdhënie intime në Ramazan
Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e prish një ditë të Ramazanit, pa ndonjë arsye dhe pa sëmundje, nuk mund ta kompensojë atë ditë, edhe nëse agjëron tërë kohën.” Këtë e ka thënë edhe Ibn Mesudi. Seid ibn Musejebi, Shabiu, Ibn Xhubejri, Ibrahimi, Katadja dhe Hamadi kanë thënë: E kompenson një ditë në vend të saj.
1935. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Muniri na ka thënë se e ka dëgjuar Jezid ibn Harunin, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Muhamed ibn Xhafer ibn Zubejr ibn Avam ibn Huvejlidi, e këtij i ka treguar Abad ibn Abdullah ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe tha:
- Jam djegur.
- “Çfarë ke?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me bashkëshorten në Ramazan, - iu përgjigj ai.
Pejgamberit ﷺ i sollën një shportë me ushqim, e në atë rast tha: “Ku është i djeguri?”
- Unë (jam), - tha ai.
- “Jepe lëmoshë këtë.”
30. Nënkapitulli: Nëse bën marrëdhënie intime në Ramazan, ndërkohë nuk posedon asgjë, porse i jepet lëmoshë, atëherë le të shpaguajë me të
1936. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa rrinim ulur te Pejgamberi ﷺ, erdhi një njeri dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, jam shkatërruar.
- “Çfarë ke?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me gruan time, duke qenë agjërueshëm, - iu përgjigj ai.
- “A mund të gjesh një rob për ta liruar?”
- Jo.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo.
Kështu, ai qëndroi te Pejgamberi ﷺ për një kohë dhe, duke qenë në këtë gjendje, Pejgamberit ﷺ i sollën një shportë me hurma, e në atë rast tha:
- “Ku është pyetësi?”
- Ja ku jam, - tha ai.
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë.”
- Ndonjë më të varfri se unë, o i Dërguari i Allahut?! Betohem në Allahun se mes dy pllajave (të Medinës) nuk ka shtëpi më të varfër se familja ime, - tha ai.
Pejgamberi ﷺ qeshi, saqë iu dukën dhëmbët, pastaj tha: “Ushqeje familjen tënde me të.”
31. Nënkapitulli: Atij që bën marrëdhënie intime në Ramazan, a i lejohet që ta ushqejë familjen e vet prej shpagimit, nëse ata janë nevojtarë?
1937. Nga: Ebu Hurejra
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe tha: “Ky i fundit (aludonte në vetveten) ka bërë marrëdhënie intime me gruan e vet në Ramazan.” Pejgamberi ﷺ i tha:
- “A ke me çfarë të lirosh një rob?”
- Jo, - tha ai.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A ke mundësi të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo.
Ndërkohë Pejgamberit ﷺ i sollën një shportë me hurma dhe i tha (personit në fjalë): “Ushqe dikë me këtë, si shpagim për ty.”
- Dikë që është më nevojtar se ne?! Mes dy pllajave (të Medinës) nuk ka shtëpi më nevojtare se ne, - tha burri në fjalë.
- “Atëherë ushqeje me të familjen tënde”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
32. Nënkapitulli: Hixhamja dhe vjellja për agjëruesin
Jahja ibn Salihu më ka thënë: "Na ka treguar Muavije ibn Selame, e këtij i ka treguar Jahja nga Omer ibn Hakem ibn Thevbani se e ka dëgjuar Ebu Hurejrën duke thënë: Nëse vjell, nuk e prish agjërimin, sepse me të nxjerr e nuk fut brenda. Përmendet se Ebu Hurejra ka thënë se vjellja e prish, por transmetimi i parë është më i saktë prej tij. Ibn Abasi dhe Ikrime kanë thënë: "Agjërimi prishet me atë që futet brenda, e jo me atë që del. Ibn Omeri e bënte hixhamen duke qenë agjërueshëm, por pastaj e la, andaj hixhamen e bënte gjatë natës. Ebu Musai e bëri hixhamen gjatë natës." Tregohet se Sadi, Zejd ibn Erkami dhe Umu Seleme kanë bërë hixhame duke qenë agjërueshëm. Bukejri transmeton nga Umu Alkame se ka thënë: "E bënim hixhamen (agjërueshëm) në prani të Aishes, e nuk na ndalonte." Transmetohet nga Haseni, e ky prej më shumë se një personi, nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “E ka prishur agjërimin ai që bën hixhame dhe atij që i bëhet.” Ajashi më ka thënë: "Na ka treguar Ebu Alai, e këtij i ka treguar Junusi nga Haseni, njëjtë, dhe se është pyetur për këtë hadith, a është nga Pejgamberi ﷺ?" - Po, - është përgjigjur. Pastaj ka thënë: "Allahu e di më së miri."
1938. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka bërë hixhame duke qenë në ihram dhe e ka bërë atë duke qenë agjërueshëm.
1939. Nga: Abdullah ibn Abasi
Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka bërë hixhame duke qenë agjërueshëm.
1940. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe se Thabit Bunaniu tregon se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është pyetur: “A e urrenit hixhamen për agjëruesin?”
- Jo, përveç për shkak të ligështimit, - iu përgjigj ai.
Shebabi shton: “Na ka treguar Shuëbe (se Thabiti ka thënë): “Në kohën e Pejgamberit ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1940
Fjalë të panjohura?
33. Nënkapitulli: Agjërimi dhe mosagjërimi në udhëtim
1941. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Is'hak Shejbaniu se Ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim kur njërit prej nesh i tha: “Zbrit dhe më përgatit pak qull (për iftar).”
- Dielli, o i Dërguari i Allahut! - ia ktheu ai.
- “Zbrit dhe më përgatit qull!”
- Dielli, o i Dërguari i Allahut! - i tha prapë.
- “Zbrit dhe më përgatit qull!”
Atëherë ai zbriti, i përgatiti pak qull dhe Pejgamberi ﷺ e piu. Pastaj bëri me dorë matanë dhe tha: “Kur ta shihni natën se vjen prej andej, agjëruesi veçse ka bërë iftar.”
Transmetimin e Sufjanit e fuqizojnë Xheriri dhe Ebu Bekër ibn Ajashi nga Shejbaniu, e ky nga Ibn Ebu Eufai, i cili ka thënë: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ ishim në një udhëtim.”
1942. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Aishja se Hamza ibn Amër Eslemiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë agjëroj çdo ditë.”
1943. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ, tregon se Hamza ibn Amër Eslemiu agjëronte shumë, andaj e pyeti Pejgamberin ﷺ: “A të agjëroj në udhëtim?”
- “Nëse do, agjëro, e, nëse do, ha”, - iu përgjigj ai.
34. Nënkapitulli: Kur agjëron disa ditë të Ramazanit, e pastaj udhëton
1944. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gjatë Ramazanit i Dërguari i Allahut ﷺ u nis për në Mekë dhe agjëroi derisa arriti në vendin Kedid, ku e ndërpreu agjërimin. Kështu vepruan edhe të tjerët.
Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Kedidi është burim mes Usfanit dhe Kudejdit (afër Mekës).”
35. Nënkapitull
1945. Nga: Ebu Derdai
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Hamzai, e ky nga Abdurrahman ibn Jezid ibn Xhabiri, e këtij i ka treguar Ismail ibn Ubejdullahu, e ky nga Umu Derdai se Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Me Pejgamberin ﷺ dolëm në udhëtim, në një ditë të nxehtë, saqë njeriu detyrohej ta vendoste dorën mbi kokë, nga të nxehtët e madh. Askush prej nesh nuk ishte agjërueshëm, përveç Pejgamberit ﷺ dhe Ibn Revahës.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1945
Fjalë të panjohura?
36. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ për atë të cilit i bënin hije gjatë vapës së madhe: “Nuk është prej mirësisë agjërimi në udhëtim.”
1946. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Abdurrahman Ensariu, e ky e ka dëgjuar Muhamed ibn Amër ibn Hasen ibn Aliun se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Në një udhëtim i Dërguari i Allahut ﷺ pa një turmë njerëzish duke i bërë hije një burri, e në atë rast tha:
- “Ç'po ndodh?”
- Është agjërues, - i thanë.
- “Nuk është mirësi agjërimi në udhëtim”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1946
Fjalë të panjohura?
37. Nënkapitulli: Shokët e Pejgamberit ﷺ nuk qortonin njëri-tjetrin as për agjërim, as për mosagjërim (në udhëtim)
1947. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur ishim në udhëtim me Pejgamberin ﷺ, as agjëruesi nuk e qortonte joagjëruesin, as joagjëruesi nuk e qortonte agjëruesin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1947
Fjalë të panjohura?
38. Nënkapitulli: Ai që e prish agjërimin në udhëtim, në mënyrë që ta shohin njerëzit
1948. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Mensuri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u nis prej Medinës për në Mekë dhe agjëroi derisa arriti te vendi Usfan. Më pas kërkoi ujë, e ngriti enën me dorën e tij, në mënyrë që ta shihnin njerëzit dhe e prishi agjërimin, derisa arriti në Mekë. Kjo ishte në Ramazan.
Ibn Abasi thoshte: “I Dërguari i Allahut ﷺ edhe agjëronte, edhe hante (në udhëtim), andaj, kush të dojë, le të agjërojë, e, kush të dojë, le të hajë.”
39. Nënkapitulli: Ajeti: “... E ata që i rëndon ai (agjërimi, e nuk agjërojnë), janë të obliguar për kompensim...”
Ibn Omeri dhe Seleme ibn Ekvai kanë thënë: "Ajetin e lartpërmendur e ka shfuqizuar ky ajet: “Muaji Ramazan që në të (filloi të) shpallet Kurani, i cili është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju, (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë), që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se ju udhëzoi dhe që të falënderoni.” (Bekare, 185) Ibn Numejri ka thënë: "Na ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Amër ibn Murra, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Lejla se: "Shokët e Muhamedit ﷺ na kanë treguar se, kur Ramazani ishte bërë obligim, agjërimi ishte i vështirë për ta. Kështu, ai që kishte mundësi që të ushqente përditë nga një të varfër, nuk agjëronte, edhe pse kishte mundësi (të agjëronte), sepse kjo ishte e lejuar për ta. Por, këtë normë e ka shfuqizuar ajeti: “... e të agjëroni është më mirë për ju...”, (Bekare, 184) e në atë rast janë urdhëruar që të agjërojnë.
1949. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ajashi na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai, e këtij i ka treguar Ubejdullahu se Nafiu tregon se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e citoi ajetin: “... kompensim, ushqim i të varfërve...”, e në atë rast tha se është shfuqizuar.
40. Nënkapitulli: Kur bëhet kompensimi i Ramazanit?
Ibn Abasi ka thënë: "Lejohet kompensimi në ditë të ndara, bazuar në ajetin: “... le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme...” (Bekare, 185) Seid ibn Musejebi, për agjërimin e dhjetëshit (të muajit dhul hixhe), ka thënë: "Nuk është në rregull pa filluar kompensimin e Ramazanit." Ibrahimi ka thënë: "Nëse e neglizhon kompensimin derisa të vijë Ramazani tjetër, atëherë i agjëron të dy (ramazanët). Po ashtu, ai nuk ka paraparë që të jepet ushqim për të varfrit." Prej Ebu Hurejrës, me zinxhir të shkëputur, dhe prej Ibn Abasit tregohet: "Ai (neglizhuesi) duhet të japë edhe ushqim. Allahu nuk e ka përmendur ushqimin, por ka thënë: “... le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme...” (Bekare, 185)
1950. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Më mbeteshin ditë Ramazani për t'i kompensuar, të cilat nuk mund t'i kompensoja vetëm se në shaban.”
Jahjai shton: “(Për shkak të) angazhimit prej Pejgamberit ﷺ, - ose ka thënë: me Pejgamberin ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1950
Fjalë të panjohura?