Hadithet e ngjashme me hadithin 3700
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
1392. Nga: Omer ibn Hatabi
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Abdulhamidi, e këtij i ka treguar Husajn ibn Abdurrahmani se Amër ibn Mejmun Evdiu ka thënë: “E kam parë Omer ibn Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke i thënë (djalit të tij pasi që ishte plagosur nga dora e Ebu Lulue Mexhusiut): “O Abdullah, i biri i Omerit, shko te nëna e besimtarëve, Aishja, e thuaji se Omeri po të bën selam dhe kërkoji leje që të varrosem te dy shokët e mi.”
Ajo i tha: “Atë (vend) e dëshiroja për vete, porse sot atij do t'i jap përparësi kundrejt vetes sime.” Kur (Abdullahu) u kthye, (Omeri) i tha:
- Çfarë përgjigjeje më ke sjellë?
- Të ka dhënë leje, o prijës i besimtarëve! - tha ai.
Omeri tha: “Për mua s'ka gjë më të rëndësishme se ai vend. Pasi të vdes, më dërgoni (te varri), përshëndeteni (Aishen) dhe i thoni: “Omer ibn Hatabi të kërkon leje.” Nëse ju jep leje, më varrosni aty, në të kundërtën, më çoni te varrezat e muslimanëve. Nuk njoh dikë më meritor për këtë përgjegjësi (hilafetin) sesa personat me të cilët Pejgamberi ﷺ ka qenë i kënaqur deri kur ka vdekur. Ai që zgjidhet pas meje, është halif (prijës), andaj binduni ndaj tij dhe respektojeni.” Pastaj theksoi: “Othmanin, Aliun, Talhain, Zubejrin, Abdurrahman ibn Aufin dhe Sad ibn Ebu Vekasin.”
Një djalosh ensar hyri dhe i tha: “Myzhde, o prijës i besimtarëve, përgëzim prej Allahut! Ke pasur të kaluar të lavdishme dhe pozitë të lartë në Islam, siç e di edhe vetë. Kur je zgjedhur prijës, ke qenë i drejtë dhe tërë këtë e ke përmbyllur me shehidllëk.”
Ai tha: “Ah, more biri i vëllait tim! Sikur të isha baras, (e hilafeti të mos më ishte) as kundër, as pro. Porosis prijësin pas meje që të jetë i mirë ndaj muhaxhirëve të parë, t'ua njohë të drejtat dhe t'ua ruajë shenjtërinë. Po ashtu, e këshilloj të jetë i mirë ndaj ensarëve, të cilët banuan në Medinë dhe pranuan besimin (qysh më parë); (e porosis) të pranojë mirësinë e tyre dhe t'ua falë (gabimet) gabimtarëve. E këshilloj t'i ketë parasysh kategoritë që janë nën mbrojtjen e Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, ta mbajë premtimin kundrejt tyre, të luftojë në mbrojtjen e tyre dhe të mos i ngarkojë me diçka që nuk mund ta bartin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1392
Fjalë të panjohura?