23. Namazi i xhenazes
1. Nënkapitulli: Ç'thuhet për atë, fjala e fundit e të cilit është ‘la ilahe ilaIIah’?
Vehb ibn Munebihu u pyet: "A është fjala ‘la ilahe ilallah’ çelësi i Xhenetit?" Ai u përgjigj: "Po, por çdo çelës i ka dhëmbët e vet. Andaj, nëse ke çelës me dhëmbë (të duhur), hapet (Xheneti) për ty, në të kundërtën, nuk hapet."
1237. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Mehdi ibn Mejmuni, e këtij i ka treguar Vasil Ahdebi, e ky nga Mamur ibn Suvejdi se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më erdhi meleku (Xhibril) prej Zotit tim dhe më tha, - ose ka thënë: më përgëzoi se, - kushdo që vdes prej umetit tim pa i bërë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet.”
- Edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh? - pyeta.
- “Edhe nëse bën zina, edhe nëse vjedh”, - m'u përgjigj Pejgamberi ﷺ.
1238. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që vdes duke i bërë Allahut ortak, do të hyjë në Zjarr.” Ndërkohë, unë thashë: “Ai që vdes pa i bërë ortak Allahut, do të hyjë në Xhenet.”
2. Nënkapitulli: Urdhëresa për përcjelljen e xhenazes
1239. Nga: Bera ibn Azibi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Eshathi, e ky e ka dëgjuar Muavije ibn Suvejd ibn Mukarrinin se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ na ka urdhëruar shtatë gjëra e na ka ndaluar shtatë sosh. Na ka urdhëruar:
1. Të përcjellim xhenazet,
2. Të vizitojmë të sëmurin,
3. T'i përgjigjemi ftesës,
4. T'i ndihmojmë atij që i bëhet padrejtësi,
5. Ta përmbushim atë për të cilën dikush na është betuar,
6. Ta kthejmë selamin dhe
7. Të lutemi për atë që teshtin.
Ndërkaq, na ka ndaluar: enët e argjendit, unazën e arit, mëndafshin, armaçin, veshjet e mëndafshta (kasije) dhe mëndafshin e vrazhdë (istebrak).”
1240. Nga: Ebu Hurejra
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Amër ibn Ebu Seleme, e ky nga Evzaiu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Obligimet e muslimanit ndaj muslimanit janë pesë:
1. Kthimi i selamit,
2. Vizita e të sëmurit,
3. Përcjellja e xhenazes,
4. Përgjigjja ndaj ftesës, dhe
5. Lutja për atë që teshtin.”
Transmetimin e Amër ibn Ebu Seleme e ka fuqizuar Abdurrezaku, të cilin ia ka rrëfyer Mameri. Po ashtu, këtë hadith e transmeton Selame nga Ukajli (e ky nga Ibn Shihabi me zinxhirin paraprak).
Referenca: Sahihu i Buhariut 1240
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Hyrja tek i vdekuri pasi të mbështillet me qefin
1241. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
1241, 1242 - Bishr ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri dhe Junusi, e këta nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Ebu Bekri erdhi me kalë prej Sunhit, vendbanimit të tij, e në atë rast zbriti nga kali dhe u fut në xhami, pa i folur askujt. Hyri në dhomën e Aishes dhe u drejtua nga Pejgamberi ﷺ, i cili ishte i mbuluar me gunë të hollë (jemenase) me ngjyra, ia zbuloi fytyrën dhe e puthi. Pastaj qau e tha: “E bëfsha kurban babanë për ty, o i Dërguari i Allahut! Allahu nuk do të t'i bashkojë dy vdekje, porse vdekjen që ta ka caktuar Allahu, tashmë e ke shijuar.”
Ebu Seleme ka thënë: “Ibn Abasi tregon: “Teksa Omeri u fliste njerëzve, doli Ebu Bekri dhe i tha: “Ulu!” Ai refuzoi. Prapë i tha: “Ulu!” Ai refuzoi sërish. Atëherë, Ebu Bekri filloi të flasë, e njerëzit u kthyen nga ai dhe e lanë Omerin. Aty tha: “E, më pas... Ai që e ka adhuruar Muhamedin ﷺ, Muhamedi ﷺ tanimë ka vdekur, e ai që e adhuron Allahun, Allahu është i Gjallë e nuk vdes. Allahu i Madhëruar thotë: “Muhamedi është vetëm i dërguar. Por, edhe para tij ka pasur pejgamberë. E, nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa (në fe të gabuar) nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Se, Allahu do t'i shpërblejë falënderuesit.” (Ali Imran, 144)
Betohem në Allahun se, njerëzit (nga mërzia) sikur nuk e dinin se Allahu e ka zbritur më parë këtë ajet, derisa e lexoi Ebu Bekri. Atëherë njerëzit e pranuan prej tij dhe çdonjëri dëgjohej duke e lexuar atë.”
1242. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
1241, 1242
1243. Nga: Umu Ala Ensarja
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Harixhe ibn Zejd ibn Thabiti se Umu Alai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), një grua ensare, që ia kishte dhënë besën Pejgamberit ﷺ, tregon se muhaxhirët (kur erdhën nga Meka) u shpërndanë me short, e neve na ra Othman ibn Medhuni. Pasi e vendosëm në një prej shtëpive tona, u sëmur dhe vdiq. Kështu, e pastruam dhe e qefinosëm me rrobat e tij. Kur erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ, unë thashë: “Allahu të mëshiroftë, o Ebu Saib! Dëshmoj se Allahu të ka nderuar.” Pejgamberi ﷺ tha:
- “E si e ditke ti se Allahu e ka nderuar atë?”
- Me babë kurban t'u bëfsha, o i Dërguari i Allahut, e kë nderon Allahu pra? - pyeta.
- “Sa i përket këtij, i ka ardhur e qarta (vdekja). Betohem në Allahun se unë shpresoj për të mirësinë! Betohem në Allahun se unë nuk e di çfarë do të bëhet me mua, edhe pse jam i Dërguari i Allahut”, - tha ai.
- Betohem në Allahun se askënd nuk do ta lavdëroj pas tij (Othmanit), - thashë.”
Seid ibn Ufejri ka thënë: “Na ka treguar Lejthiu, njëjtë.” Nafi ibn Jezidi transmeton nga Ukajli se ka thënë: “Çfarë do të bëhet me të.” Transmetimin e tij e kanë përforcuar Shuajbi, Amër ibn Dinari dhe Mameri.
1244. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Muhamed ibn Munkedirin se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur m'u vra babai, ia zbuloja fytyrën dhe qaja. Njerëzit mundoheshin të më ndalnin, porse Pejgamberi ﷺ nuk më ndalte. Edhe halla ime, Fatimja, qante, së cilës Pejgamberi ﷺ i tha: “Po qan?” - ose ka thënë: "Mos qaj! - Melekët e mbulonin atë me krahët e tyre derisa e morët ju.”
Transmetimin e Shuëbes e ka fuqizuar Ibn Xhurejxhit i cili ka thënë: “Më ka rrëfyer Ibn Munkediri, i cili e ka dëgjuar Xhabirin.”
4. Nënkapitulli: Vetë familjari i lajmëron të tjerët për vdekjen e anëtarit të familjes
1245. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën kur vdiq Nexhashiu, i Dërguari i Allahut ﷺ njoftoi për vdekjen e tij. Kështu, doli në namazgjah, i rreshtoi safat dhe bëri katër tekbire.
1246. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Humejd ibn Hilali se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Zejdi e mori flamurin dhe u vra. Pas tij e mori Xhaferi dhe u vra. Pastaj e mori Abdullah ibn Revaha dhe u vra, - ndërsa sytë e të Dërguarit të Allahut ﷺ lotonin, - Më pas e mori Halid ibn Velidi, pa qenë i caktuar më parë, dhe ngadhënjeu.”
5. Nënkapitulli: Lajmërimi se xhenazja është gati (për t'ia falur namazin)
Ebu Rafiu transmeton nga Ebu Hurejra i cili tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pse nuk më keni lajmëruar?”
1247. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Muaviu, e ky nga Ebu Is'hak Shejbaniu, e ky nga Shabiu se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se një njeri, të cilin i Dërguari i Allahut ﷺ e vizitonte, vdiq dhe e varrosën natën. Në mëngjes i treguan Pejgamberit ﷺ, i cili tha:
- “Pse nuk më keni lajmëruar?”
- Ishte në terrin e natës, e nuk deshëm të të mundojmë, - i thanë.
Kështu, shkoi te varri i tij dhe ia fali namazin e xhenazes.
6. Nënkapitulli: Vlera e atij që i vdes një fëmijë dhe që shpreson në shpërblimin e durimit
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe përgëzoji durimtarët.” (Bekare, 155)
1248. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Abdulazizi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo musliman, që i vdesin tre (fëmijë) pa arritur pubertetin, Allahu do ta fusë në Xhenet për mëshirën që ka ndaj tyre.”
1249. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Asbehani, e ky nga Dhekvani se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se gratë (medinase) i thanë Pejgamberit ﷺ: “Na cakto një ditë (për këshilla). Kështu, ai i këshilloi ato duke u thënë: “Secilës nënë që i vdesin tre fëmijë, do t'i bëhen pengesë nga Zjarri.”
- Një grua tha: “Po dy?”
- “Edhe dy”, - tha Pejgamberi ﷺ.
1250. Nga: Ebu Hurejra
Sheriku ka transmetuar nga Ibn Asbehani, e këtij i ka treguar Ebu Salihu, e ky nga Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) shton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Që ende nuk e kanë arritur pubertetin.”
1251. Nga: Ebu Hurejra
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka dëgjuar Zuhriun, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Muslimani, të cilit i vdesin tre fëmijë, nuk do të hyjë në Xhehenem, përveç betimit të Allahut, i cili do të realizohet medoemos (kalimit nëpër Urën e Siratit, mbi Xhehenem).”
Ebu Abdullahu (Buhariu) citon ajetin: “Dhe çdonjëri prej jush do të arrijë tek Ai (Xhehenemi).” (Merjem, 71)
7. Nënkapitulli: Këshilla e ndonjë burri drejtuar ndonjë gruaje te varri duke i thënë: “Duro!”
1252. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Thabiti se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ kaloi pranë një gruaje, që po qante te një varr dhe i tha: “Ki frikë Allahun dhe duro!”
8. Nënkapitulli: Larja e të vdekurit dhe dhënia abdes me ujë e sidër
Ibn Omeri parfumoi një djalë të vdekur të Seid ibn Zejdit, e barti atë dhe ia fali xhenazen pa e përsëritur abdesin. Ibn Abasi ka thënë: "Muslimani nuk ndyhet, as i gjallë e as i vdekur." Sad ibn Ebu Vekasi ka thënë: "Sikur të ishte i ndytë, nuk do ta kisha prekur." Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Besimtari nuk ndyhet."
1253. Nga: Umu Atija Ensarja
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ejub Sehtijaniu, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Umu Atije Ensarja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i vdiq e bija (Zejnebja), hyri te ne dhe tha: “Pastrojeni me ujë e sidër, tri, pesë ose më shumë herë, sa ta shihni të nevojshme. Ndërkaq, herën e fundit pastrojeni me kamfur, ose diçka prej tij. Kur ta mbaroni, më tregoni.” Pasi e kryem, i treguam, e në atë rast na e dha rrobën e tij të poshtme dhe tha: “Fillimisht mbështilleni me këtë.”
9. Nënkapitulli: Pastrimi pëlqehet të kryhet në numër tek
1254. Nga: Umu Atija Ensarja
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehab Thekafiu, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Umu Atije Ensarja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa po ia pastronim të bijën (Zejneben), i Dërguari i Allahut ﷺ hyri te ne, e në atë rast tha: “Pastrojeni me ujë e sidër, tri, pesë ose më shumë herë. Ndërkaq, herën e fundit pastrojeni me kamfur. E, kur ta mbaroni, më tregoni.” Pasi e kryem, i treguam, e në atë rast na e hodhi rrobën e tij të poshtme dhe tha: “Mbështilleni me këtë.”
Ejubi ka thënë: “Më ka treguar Hafsa njëjtë sikurse më ka treguar Muhamedi. Në transmetimin e Hafsës qëndron: “Pastrojeni (me numër) tek.” Po ashtu, aty përmendet: “Tri, pesë ose shtatë herë.” Gjithashtu, aty përmendet edhe: “Filloni prej anës së saj të djathtë dhe prej gjymtyrëve të abdesit.”
Po ashtu në atë transmetim qëndron: “Umu Atija ka thënë: “Flokët ia kemi zënë në tri gërsheta.”
10. Nënkapitulli: Pastrimi i xhenazes fillon prej anës së djathtë
1255. Nga: Umu Atija Ensarja
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Hafsa bint Sirini se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ, me rastin e pastrimit të bijës së tij ka thënë: “Filloni prej anës së saj të djathtë dhe prej gjymtyrëve të abdesit.”
11. Nënkapitulli: Gjymtyrët e të vdekurit të cilave u jepet abdes
1256. Nga: Umu Atija Ensarja
Jahja ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e ky nga Sufjani, e ky nga Halid Hadhai, e ky nga Hafsa bint Sirini se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po e pastronim të bijën e Pejgamberit ﷺ, ai na tha: “Filloni prej anës së saj të djathtë dhe prej gjymtyrëve të abdesit.”
12. Nënkapitulli: A përdoret izari i mashkullit për qefinosjen e femrës?
1257. Nga: Umu Atija Ensarja
Abdurrahman ibn Hamadi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i vdiq e bija, Pejgamberi ﷺ na tha: “Pastrojeni tri, pesë ose më shumë herë, nëse e shihni të nevojshme. E, kur ta mbaroni, më tregoni.” Pasi e kryem, i treguam, e në atë rast hoqi nga beli rrobën e tij dhe tha: “Fillimisht mbështilleni me këtë.”
13. Nënkapitulli: Në fund të pastrimit dhe qefinosjes të vdekurit i vendoset kamfur
1258. Nga: Umu Atija Ensarja
Hamid ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Vdiq njëra prej vajzave të Pejgamberit ﷺ, e ai doli dhe na tha: “Pastrojeni me ujë e sidër, tri, pesë ose më shumë herë, sa ta shihni të nevojshme. Ndërkaq, herën e fundit pastrojeni me kamfur, ose diçka prej tij. E, kur ta mbaroni, më tregoni.” Pasi e kryem, i treguam, e në atë rast ai na e hodhi rrobën e tij të poshtme dhe tha: “Fillimisht mbështilleni me këtë.”
Ejubi e transmeton nga Hafsa, e kjo nga Umu Atija, me shprehje të ngjashme.
1259. Nga: Umu Atija Ensarja
Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pastrojeni tri, pesë, shtatë ose më shumë herë, nëse e shihni të nevojshme.”
Hafsa tregon se Umu Atija ka thënë: “Flokët ia kemi zënë në tri gërsheta.”
14. Nënkapitulli: Shprishja e gërshetave të femrës për t’i larë
Ibn Sirini ka thënë: "Lejohet të shprishen flokët (gërshetat) e të vdekurit."
1260. Nga: Umu Atija Ensarja
Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ejubi, e ky e ka dëgjuar Hafsa bint Sirinin se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se vajzës së të Dërguarit të Allahut ﷺ flokët ia zunë në tri gërsheta. Ia shprishën e ia pastruan, pastaj ia zunë në tri gërsheta.
15. Nënkapitulli: Mënyra e mbështjelljes së femrës me qefin
Haseni ka thënë: "Me çarçafin (copën) e pestë i shtrëngon dy kofshët dhe dy ijët, nën këmishë."
1261. Nga: Umu Atija Ensarja
Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ejubi, e ky e ka dëgjuar Ibn Sirinin se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - një grua nga ensarët që ia kishte dhënë besën Pejgamberit ﷺ, e cila njëherë pati shkuar në Basra për ta takuar një djalë të saj, por, me të mbërritur atje, ai i pati vdekur, - na tregoi: “Teksa po e pastronim të bijën e Pejgamberit ﷺ, ai hyri dhe na tha: “Pastrojeni me ujë e sidër, tri, pesë ose më shumë herë, sa ta shihni të nevojshme. Ndërkaq, herën e fundit pastrojeni me kamfur. E, kur ta mbaroni, më tregoni.” Pasi e kryem, na e hodhi rrobën e tij të poshtme dhe tha: “Fillimisht mbështilleni me këtë” (Ejubi ka thënë: “Ibn Sirini) nuk shtoi asgjë më shumë. Nuk e di se për cilën prej bijave të tij ishte fjala.”
Ejubi ka thënë se me fjalën (الإِشْعَار) (ishar) është për qëllim: “Ato fillimisht e kishin mbështjellë tërësisht xhenazen me rrobën e Pejgamberit ﷺ (pastaj me pjesët e tjera të qefinit). Muhamed ibn Sirini kështu urdhëronte të veprohej me femrën, që në fillim të mbështillet tërësisht, e jo pjesë-pjesë.”
16. Nënkapitulli: Lidhja e flokëve të femrës në formë gërshetash
1262. Nga: Umu Atija Ensarja
Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Hishami, e ky nga Umu Hudhejli se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ia kemi gërshetuar flokët së bijës së Pejgamberit ﷺ, përkatësisht në tri gërsheta.”
Vekiu tregon se Sufjani ka thënë: “Në majë të kokës dhe në të dy anët.”
17. Nënkapitulli: Femrës flokët i vendosen mbrapa
1263. Nga: Umu Atija Ensarja
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Hisham ibn Hasani, e këtij i ka treguar Hafsa se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur vdiq njëra prej vajzave të Pejgamberit ﷺ, ai erdhi e na tha: “Pastrojeni me sidër në numër tek: tri, pesë ose më shumë herë, sa ta shihni të nevojshme. Ndërkaq, herën e fundit pastrojeni me kamfur, ose diçka prej tij. Kur ta mbaroni, më tregoni.” Pasi e kryem, i treguam, e në atë rast ai na e hodhi rrobën e poshtme. Ia thurëm flokët në tri gërsheta dhe ia hodhëm mbrapa (shpinës).”
18. Nënkapitulli: Shfrytëzimi i rrobave të bardha për qefin
1264. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ është qefinosur në tri rroba të bardha jemenase prej pambuku, asnjëra nga ato s'ka qenë këmishë ose çallmë.
19. Nënkapitulli: Qefinosja vetëm me dy rroba
1265. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa një njeri po qëndronte në Arafat, u rrëzua nga deveja, e cila ia theu qafën (dhe vdiq).” Pejgamberi ﷺ tha: “Pastrojeni me ujë e sidër dhe qefinoseni me dy rroba. Mos e parfumoni e mos ia mbuloni kokën, sepse Ditën e Kiametit ringjallet duke kënduar telbijen.”
20. Nënkapitulli: Parfumimi i të vdekurit
1266. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa një njeri po qëndronte në Arafat me të Dërguarin e Allahut ﷺ, u rrëzua nga deveja, e cila ia theu qafën (dhe vdiq). Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Pastrojeni me ujë e sidër dhe qefinoseni me dy rroba. Por, mos e parfumoni e mos ia mbuloni kokën, sepse Ditën e Kiametit Allahu e ringjall duke kënduar telbijen.”
21. Nënkapitulli: Si qefinoset personi që vdes në ihram?
1267. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Avane, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa ishim me Pejgamberin ﷺ (në Arafat), një njeri, duke qenë në ihram, deveja e vet e rrëzoi dhe ia theu qafën (dhe vdiq).” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Pastrojeni me ujë e sidër dhe qefinoseni me dy rroba. Por, mos e parfumoni e mos ia mbuloni kokën, sepse Ditën e Kiametit Allahu e ringjall duke kënduar telbijen.”
1268. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Amri dhe Ejubi, e këta nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa një njeri qëndronte në Arafat me Pejgamberin ﷺ, u rrëzua nga deveja e vet, e cila ia theu qafën, e në atë rast vdiq.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Pastrojeni me ujë e sidër dhe qefinoseni me dy rroba. Mos e parfumoni e mos ia mbuloni kokën, sepse Ditën e Kiametit ringjallet duke kënduar telbijen.”
22. Nënkapitulli: Qefinosja me këmishë dosido, e qepur apo e paqepur
1269. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur vdiq Abdullah ibn Ubeji, djali i tij erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, ma jep këmishën tënde, që me të ta qefinos babanë tim, e falja namazin dhe kërko falje për të.” Pejgamberi ﷺ ia dha këmishën dhe i tha: “Më lajmëro për t'ia falur namazin.”
Pasi e lajmëroi, Pejgamberi ﷺ deshi t'ia falte namazin, por Omeri e tërhoqi dhe i tha:
- A nuk ta ka ndaluar Allahu që hipokritëve t'ua falësh namazin e xhenazes?
- “Jam mes dy zgjedhjeve. Allahu ﷻ ka thënë: “Kërko falje për ta, ose mos kërko. Por, edhe nëse kërkon falje shtatëdhjetë herë, Allahu nuk do t'ua falë...”, (Teube, 80) - tha Pejgamberi ﷺ dhe ia fali namazin.
Atëherë zbriti ajeti: “Asnjërit prej tyre, kur të vdesin, mos ia fal namazin...” (Teube, 84)
1270. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Amri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ shkoi tek Abdullah ibn Ubeji, pasi e kishin vendosur në varr, e nxori (nga varri), e lagu me pështymën e vet dhe e mbështolli me këmishën e tij.
23. Nënkapitulli: Qefinosja pa këmishë
1271. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Hishami, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ është qefinosur me tri rroba të bardha jemenase prej pambuku, asnjëra nga ato s'ka qenë këmishë ose çallmë.
1272. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ është qefinosur me tri rroba, asnjëra nga ato s'ka qenë këmishë ose çallmë.
24. Nënkapitulli: Qefinosja pa çallmë
1273. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ është qefinosur me tri rroba të bardha jemenase, asnjëra nga ato s'ka qenë këmishë ose çallmë.
25. Nënkapitulli: Shfrytëzimi i pasurisë së të vdekurit për qefinosje
Ky është mendimi i Ataut, Zuhriut, Amër ibn Dinarit dhe Katades. Amër ibn Dinari ka thënë: "Parfumimi bëhet prej pasurisë (së të vdekurit)." Ibrahimi ka thënë: "Së pari (pasi personi të vdesë) fillohet me qefinosjen e tij, vijohet me kthimin e borxheve, e pastaj me testamentin." Sufjani ka thënë: "Pagesa e varrmihësit dhe pastrimit është në kuadër të qefinosjes."
1274. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Ahmed ibn Muhamed Mekiu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Sadi, se babai i tij Ibrahimi tregon për (babanë e vet) Abdurrahman ibn Aufin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se një ditë, kur i sollën ushqim, tha: “Kur është vrarë Musab ibn Umejri, i cili ka qenë më i mirë se unë, nuk patëm gjetur me se ta qefinosnin, përveç një gune. Po ashtu, kur është vrarë Hamzai, ose një burrë tjetër, që, gjithashtu, ka qenë më i mirë se unë, nuk patëm gjetur me se ta qefinosnin, përveç një gune. Kam frikë se na janë përshpejtuar mirësitë qysh në këtë botë. Pastaj qau.”
26. Nënkapitulli: Rastet kur nuk gjendet më shumë se një rrobë (për qefinosje)
1275. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, se babai i tij Ibrahimi tregon se Abdurrahman ibn Aufit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i sollën ushqim (iftarin) duke qenë agjërueshëm, e në atë rast tha: “Kur është vrarë Musab ibn Umejri, i cili ka qenë më i mirë se unë, është qefinosur me një gunë. Kur i mbulohej koka, i zbuloheshin këmbët, e, kur i mbuloheshin këmbët, i zbulohej koka.” - Më duket se ka thënë: - “Po ashtu, kur është vrarë Hamzai, që, gjithashtu, ka qenë më i mirë se unë, pastaj mirësitë e dynjasë na u zgjeruan, - ose ka thënë: na u dhanë. - Kam frikë se na janë përshpejtuar mirësitë (qysh në këtë botë).” Pastaj qau dhe e la ushqimin.
27. Nënkapitulli: Kur rroba për qefinosje nuk mjafton për të mbuluar këmbët dhe kokën, mbulohet vetëm koka
1276. Nga: Habab ibn Ereti
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Shekiku se Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ kemi bërë hixhret duke synuar Fytyrën e Allahut, andaj shpërblimi ynë është tek Allahu. Dikush prej nesh tashmë ka vdekur, pa e gëzuar aspak shpërblimin e tij (në këtë botë), bie fjala, Musab ibn Umejri, ndërkaq të tjerëve u janë pjekur frutat dhe po i vjelin. Ai u vra Ditën e Uhudit, ndërkohë nuk gjenim me se ta qefinosnim, përveç një rrobe me të cilën, kur ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e kur ia mbulonim këmbët, i zbulohej koka. Pejgamberi ﷺ na pati urdhëruar që kokën t'ia mbulonim me të, kurse këmbëve t'u hidhnim idhhir.”
28. Nënkapitulli: Pejgamberi ﷺ nuk e kritikoi atë që e kishte përgatitur qefinin për vete para vdekjes
1277. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua i solli Pejgamberit ﷺ një pelerinë të re e të qëndisur.
Sehli pyeti:
- A e dini ç'është pelerina?
- Petk i gjatë, - iu përgjigjën të pranishmit.
- Po, - tha ai.
Pastaj vazhdoi: “Gruaja në fjalë i tha Pejgamberit ﷺ: “E kam qëndisur me dorën time dhe ta kam sjellë që ta veshësh. Pejgamberi ﷺ e mori dhe, ngaqë kishte nevojë për të, e veshi. Erdhi te ne, ndërkohë e kishte veshur si rrobë të poshtme. Njëri prej të pranishmëve tha: Sa e bukur qenka, mund të ma japësh?” Njerëzit i thanë: “Nuk bëre mirë, Pejgamberi ﷺ e ka veshur sepse kishte nevojë, e ti ia kërkove duke e ditur se ai nuk refuzon.” Ai tha: “Betohem në Allahun se nuk ia kërkova për ta veshur, por për të qenë qefini im.”
Në të vërtetë, ashtu ndodhi, ajo i shërbeu si qefin.
29. Nënkapitulli: Dispozita e përcjelljes së xhenazes për gratë
1278. Nga: Umu Atija Ensarja
Kabisa ibn Ukbe na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Halid Hadhai, e ky nga Umu Hudhejli se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Na është ndaluar (femrave) përcjellja e xhenazes, por jo rreptësisht.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1278
Fjalë të panjohura?
30. Nënkapitulli: Të mbajturit zi nga ana e femrës që i ka vdekur dikush përveç bashkëshortit
1279. Nga: Umu Atija Ensarja
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Seleme ibn Alkame se Muhamed ibn Sirini tregon se Umu Atijës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i vdiq një djalë. Kur kaluan tri ditë, kërkoi parfum. U parfumua dhe tha: “Na është ndaluar (femrave) të mbajmë zi më shumë se tri ditë, përveç për bashkëshortin.”
1280. Nga: Zejneb bint Ebu Seleme
Humejdi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ejub ibn Musai, e këtij i ka rrëfyer Humejd ibn Nafiu se Zejnebe bint Ebu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur erdhi lajmi prej Shamit për vdekjen e Ebu Sufjanit, pas tri ditësh Umu Habibe (e bija e tij) kërkoi parfum, për t'i parfumuar faqet dhe parakrahët, e në atë rast tha: “Nuk më nevojitej aspak, porse e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Një gruaje që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, nuk i lejohet të mbajë zi për të vdekurin më shumë se tri ditë, përveç për bashkëshortin e saj, që në atë rast mban zi katër muaj e dhjetë ditë.”
1281. Nga: Umu Habibe bint Ebu Sufjani
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekër ibn Muhamed ibn Amër ibn Hazmi, e ky nga Humejd ibn Nafiu se Zejnebe bint Ebu Seleme tregon: “Njëherë, pasi hyra tek Umu Habibja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, më tha se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Një gruaje që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, nuk i lejohet të mbajë zi për të vdekurin më shumë se tri ditë, përveç për bashkëshortin, që në atë rast mban zi katër muaj e dhjetë ditë.”
1282. Nga: Zejneb bint Ebu Seleme
Zejnebe bint Ebu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Zejnebe bint Xhahshiu pasi i vdiq vëllai. Kështu, ajo kërkoi parfum, u parfumua me të dhe tha: “Nuk pata nevojë për parfum, mirëpo e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ hipur mbi minber duke thënë: “Një gruaje që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, nuk i lejohet të mbajë zi për të vdekurin më shumë se tri ditë, përveç për bashkëshortin e saj, për të cilin mban zi katër muaj e dhjetë ditë.”
31. Nënkapitulli: Vizitimi i varrezave
1283. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Thabiti se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ kaloi pranë një gruaje që po qante te një varr, e në atë rast ai i tha:
- “Ki frikë Allahun dhe duro!”
- Largohu prej meje, se ty nuk të ka goditur fatkeqësi si mua, - ia ktheu ajo pa e njohur.
Kur dikush i tregoi se ai ishte Pejgamberi ﷺ, ajo i vajti në shtëpi, por te porta e tij nuk gjeti asnjë rojë (kështu që hyri) dhe i tha: “Nuk të kam njohur.”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Durimi është në goditjen e parë (të fatkeqësisë).”
32. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ në lidhje me atë që e ka traditë vajtimin: “Njeriu dënohet në varr për shkak të vajtimit të familjes së vet.”
Allahu ﷻ ka thënë: “Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri...” (Tahrim, 6) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është bari që do të merret në llogari për kopenë e vet.” E, nëse (vajtimi) nuk ka qenë traditë e të vdekurit (për të cilin të tjerët vajtojnë), atëherë çështja mbetet ashtu siç ka thënë Aishja (duke i cituar ajetet): “... askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit...” (Enam, 164), dhe: “... nëse i ngarkuari rëndë (mëkatari) thërret dikë që t’ia bartë, nuk do t’i merret asgjë nga barra...” (Fatir, 18) Lejohet të qarit që nuk përmban vajtim. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdokush që vritet padrejtësisht, të birit të parë të Ademit i shkruhet një pjesë e mëkatit”, sepse ai ka qenë i pari që e ka nisur vrasjen.
1284. Nga: Usame ibn Zejdi
Abdani dhe Muhamedi na kanë thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Asim ibn Sulejmani, e ky nga Ebu Othmani se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Njëra nga bijat e Pejgamberit ﷺ (Zejnebja) i çoi të Dërguarit të Allahut ﷺ fjalë: “Eja, se evlati po më vdes.” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Allahut i takon ajo që ka marrë dhe Atij i takon ajo që ka dhënë. Çdo gjë tek Ai është me afat të caktuar. Le të bëjë durim dhe ta shpresojë shpërblimin.”
Ajo sërish i çoi fjalë dhe iu betua të vente. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u nis dhe bashkë me të shkuan edhe Sad ibn Ubade, Muadh ibn Xhebeli, Ubej ibn Kabi, Zejd ibn Thabiti dhe disa të tjerë. Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ ia afruan fëmijën, i cili gërhiste si të ishte brenda një kaceku të vyshkur, i rrodhën lotët. Sadi i tha: “O i Dërguari i Allahut, ç'është kjo?” Ai ia ktheu: “Kjo është mëshirë që Allahu e ka vendosur në zemrat e robërve të Tij. Ndër robërit e Tij Allahu i mëshiron të mëshirshmit.”
1285. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Amiri, e këtij i ka treguar Fulejh ibn Sulejmani, e ky nga Hilal ibn Aliu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ishim në varrimin e vajzës së të Dërguarit të Allahut ﷺ (Umu Kulthumit), i cili rrinte ulur afër varrit. Pashë se i lotonin sytë. Ai pyeti:
- “A ka ndonjë prej jush që mbrëmë nuk ka bërë marrëdhënie intime?”
- Unë, - tha Ebu Talhai.
- “Zbrit”, - i tha Pejgamberi ﷺ, e ai (Ebu Talhai) zbriti në varrin e saj.”
1286. Nga: Abdullah ibn Ebu Mulejke
Abdani na ka thënë: Na ka treguar Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi se Abdullah ibn Ubejdullah ibn Ebu Mulejke (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Kur Othmanit i vdiq njëra vajzë në Mekë, i shkuam në varrim. Aty qenë Ibn Omeri dhe Ibn Abasi. Unë u ula në mes tyre, - ose ka thënë: u ula pranë njërit prej tyre, - pastaj erdhi tjetri dhe u ul pranë meje.” Abdullah ibn Omeri i tha Amër ibn Othmanit: “A nuk po i ndalon (të afërmit) nga të qarët?” Kjo, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “I vdekuri dënohet për shkak të disa të qarave që i bën familja e vet për të.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1286
Fjalë të panjohura?
1287. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se edhe Omeri thoshte diçka të ngjashme (me hadithin paraprak). Pastaj tregoi: “U kthyem prej Mekës me Omerin, derisa arritëm në Bejda. Aty hasëm një karvan me njerëz nën hijen e një peme, e ai më tha: “Shko shiko cilët janë ata në këtë karvan?” Kur shikova, e pashë Suhejbin, andaj i tregova. Ai më tha: “Thirrma atë.” U ktheva te Suhejbi dhe i thashë: “Nisu dhe shko te prijësi i besimtarëve.” (Pas një kohe) kur Omeri u plagos, Suhejbi shkoi tek ai dhe, duke qarë, thoshte: “Ah, vëllai dhe shoku im i gjorë!” Në atë rast Omeri i tha: “O Suhejb, po qan për mua, ndërkohë i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “I vdekuri dënohet për shkak të disa të qarave që i bën familja e vet për të.”
1288. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur vdiq Omeri, i tregova Aishes, e në atë rast tha: “Allahu e mëshiroftë Omerin! Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka thënë se Allahu e dënon besimtarin për shkak të të qarave që i bën familja e vet për të, mirëpo i Dërguari i Allahut! ka thënë: “Allahu ia shton jobesimtarit dënimin për shkak të të qarave që i bën familja e vet për të.” Dhe ju mjafton Kurani: “Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit...” (Enam, 164)
Atëherë Ibn Abasi tha: “Allahu e bën (njeriun) për të qeshur e për të qarë.”
Ibn Ebu Mulejke ka thënë: “Betohem në Allahun se Ibn Omeri nuk ka shtuar (pas kësaj) asgjë.”
1289. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekri, e ky nga babai i tij, e këtij i ka rrëfyer Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ, ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë (varrit të) një hebreje teksa familja e saj qanin për të, e në atë rast tha: “Ata po qajnë për të, ndërkohë ajo po dënohet në varr.”
1290. Nga: Ebu Musa Eshariu
Ismail ibn Halili na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mus'hiri, e këtij i ka treguar Ebu Is'hak Shejbaniu, e ky nga Ebu Burde, se babai i tij Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u plagos Omeri, Suhejbi thoshte: “Ah, vëllai im i gjorë!” Në atë rast Omeri ia ktheu: “A nuk e di se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “I vdekuri dënohet për shkak të të qarave të të gjallit.”
33. Nënkapitulli: Vajtimi që urrehet për të vdekurin
Omeri ka thënë: "Lëri të qajnë për Ebu Sulejmanin (Halid ibn Velidin), për sa kohë që nuk hedhin dhé mbi kokë e nuk vajtojnë."
1291. Nga: Mugire ibn Shuëbe
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Seid ibn Ubejdi, e ky nga Ali ibn Rebia se Mugire (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Të gënjesh për mua nuk është njëjtë sikurse të gënjesh për dikë tjetër. Ai që gënjen për mua qëllimisht, le të përgatitet për ulësen e tij në Zjarr.” Po ashtu e kam dëgjuar duke thënë: “Ai për të cilin vajtohet, dënohet për atë vajtim.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1291
Fjalë të panjohura?
1292. Nga: Omer ibn Hatabi
Abdani na ka thënë: Më ka rrëfyer babai im, e ky nga Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Seid ibn Musejebi, e ky nga Ibn Omeri se babai i tij Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “I vdekuri dënohet në varrin e tij për shkak të vajtimit që bëhet për të.”
Transmetimin e Abdanit e ka fuqizuar Abdulalai, e këtij i ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e këtij i ka treguar Katadja. Ndërsa, Ademi e transmeton nga Shuëbe: “I vdekuri dënohet (në varrin e tij) për shkak të të qarit që e bën i gjalli për të.”
34. Nënkapitull
1293. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Ditën e Uhudit, babai im u soll i masakruar para të Dërguarit të Allahut ﷺ. E kishin mbuluar me një rrobë, e unë dëshiroja ta zbuloja (për ta parë), por njerëzit ma ndaluan këtë. Edhe më tutje tentoja ta zbuloja, por ata sërish më ndaluan. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi të dërgohej (në varr), sakaq dëgjoi zërin e një vajtueseje, e në atë rast pyeti: “Kush është ajo?” I thanë: “Vajza, - ose ka thënë: motra, - e Amrit.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Përse po qan? - Ose ka thënë: Të mos qajë, - sepse melekët i bënin hije me flatrat e tyre, derisa e morët ju.”
35. Nënkapitulli: Nuk është prej nesh ai që i gris rrobat (nga të vajtuarit)
1294. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Zubejd Jamiu, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Mesruku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk është yni ai që godet fytyrën, i shqyen rrobat dhe vajton siç vajtohej gjatë injorancës.”
36. Nënkapitulli: Shprehja e dhembjes dhe keqardhjes nga ana e Pejgamberit ﷺ për Sad ibn Havlën
1295. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Amir ibn Sad ibn Ebu Vekasi, se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më vizitoi në vitin e Haxhit Lamtumirës, për shkak të një sëmundjeje që më rëndoi shumë, e në atë rast i thashë:
- Rëndimi i sëmundjes ka arritur kulmin (prej së cilës ndoshta edhe do të vdes), nga ana tjetër, kam shumë pasuri, ndërkohë trashëgimtare kam vetëm një vajzë. A të jap lëmoshë dy të tretat e pasurisë sime?
- “Jo”, - tha ai.
- Po gjysmën? - e pyeta.
- “Jo”, - tha. Pastaj vazhdoi:
- “Një të tretën, madje edhe një e treta është e madhe, - ose ka thënë: është shumë -. T'i lësh trashëgimtarët e tu të pasur është më mirë sesa t'i lësh nevojtarë (të varfër), që t'u lypin njerëzve. Për çdo lëmoshë që jep, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vendos në gojën e bashkëshortes sate.”
- O i Dërguari i Allahut, a do të mbetem (në Mekë) pas shokëve të mi (të cilët do të kthehen në Medinë)? - i thashë.
- “Nuk ndodh të vazhdosh të jetosh pas tyre e të punosh ndonjë vepër të mirë e të të mos shtohet një gradë dhe lartësim. Mbase do të jetosh aq sa dikush (nga miqtë) do përfitojë e dikush (nga armiqtë) do ta pësojë keq për shkakun tënd. O Allah! Plotësoje hixhretin e shokëve të mi e mos i kthe mbrapa (nga ku kanë bërë hixhret)! Sa fatkeqësi për Sad ibn Haulen!”
I Dërguari i Allahut ndiente dhembje dhe shprehte keqardhje për të pse vdiq në Mekë (pasi nuk u pëlqente të vdisnin aty, pasi kishin bërë hixhret).”
37. Nënkapitulli: Ndalesa për rruajtjen e kokës në raste fatkeqësish
1296. Nga: Ebu Burde ibn Ebu Musa
Hakem ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Hamzai, e ky nga Abdurrahman ibn Xhabiri, e këtij i ka treguar Kasim ibn Muhajmire se Ebu Burde ibn Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Ebu Musai u sëmur rëndë, e në atë rast i ra të fikët, ndërsa kokën e kishte në prehrin e njërës prej grave të tij. Nuk mund të kundërshtonte asgjë (kur ajo qante), e, kur u këndell, tha: “Unë distancohem prej asaj që është distancuar edhe i Dërguari i Allahut ﷺ. Ai është distancuar nga vajtuesja, nga ajo që i rruan flokët (në raste fatkeqësish) dhe nga ajo që i shqyen rrobat.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1296
Fjalë të panjohura?
38. Nënkapitulli: Nuk është yni ai që godet fytyrën (si formë vajtimi në raste fatkeqësish)
1297. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Abdullah ibn Murra, e ky nga Mesruku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk është yni ai që godet fytyrën, i shqyen rrobat dhe vajton siç vajtohej gjatë injorancës.”
39. Nënkapitulli: Ndalesa kur dikush bën kujë me fjalët: "Vaj medet ç’na gjeti! dhe llojet e tjera të vajtimeve të ndaluara të periudhës së injorancës në raste fatkeqësish."
1298. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Abdullah ibn Murra, e ky nga Mesruku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk është yni ai që godet fytyrën, i shqyen rrobat dhe vajton siç vajtohej gjatë injorancës.”
40. Nënkapitulli: Personi që ulet me të marrë lajmin për fatkeqësinë, e të cilit i vërehet pikëllimi (në fytyrë)
1299. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e ky e ka dëgjuar Jahjain, e këtij i ka rrëfyer Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ mori lajmin për vrasjen e Ibn Harithes, Xhaferit dhe Ibn Revahës, u ul (në xhami) dhe i vërehej pikëllimi. Ndërsa shikoja nëpërmjet një vrime të një dere, i vajti një person dhe i tregoi për të qarat e grave të (familjes së) Xhaferit. Ai e urdhëroi t'i ndalte ato, por nuk e dëgjuan, andaj u kthye prapë (te Pejgamberi ﷺ). Pejgamberi ﷺ i tha: “Ndali!” Kur u kthye herën e tretë, tha: “Betohem në Allahun se ato na mundën (nuk na dëgjuan), o i Dërguari i Allahut!”
Aishja thotë: Mendoj se ka thënë: “Hidhu dhé në gojët e tyre!”
Aishja vazhdon duke thënë: “Pastaj (personit në fjalë) i thashë: “Turp të qoftë, as veprove siç të urdhëroi i Dërguari i Allahut ﷺ, as e le të qetë!”
1300. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Asim Ahveli se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka bërë kunut një muaj rresht kur u vranë hafëzët. Asnjëherë nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ më të pikëlluar se atëherë.