Umdetul Ahkam — Hadithi 133
16. Nënkapitulli: Dhikri pas namazit (farz)
133. Nga: Ebu Hurejra
Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekër ibn Abdurahman ibn Harith ibn Hishamit, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se muhaxhirët e varfër shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “Të pasurit na e kaluan në gradat e larta dhe në mirësitë e përjetshme!
- “Si ashtu?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po falen siç po falemi ne, po agjërojnë siç agjërojmë ne, madje ata japin sadaka, kurse ne nuk japim, lirojnë robër, ndërsa ne nuk kemi mundësi për këtë.
- “A t'ju mësoj një gjë, me të cilën do t'i arrini ata që ju kanë kaluar dhe do t'ua kaloni atyre pas jush e askush nuk do të jetë më i mirë se ju, përveç dikush që vepron siç veproni ju?” - u tha Pejgamberi ﷺ.
- Posi, o i Dërguari i Allahut! - u përgjigjën.
- “Bëni tesbih (subhanallah), tekbir (Allahu ekber) dhe tahmid (elhamdulilah) pas çdo namazi tridhjetë e tri herë,” - i porositi Pejgamberi ﷺ.
Ebu Salihu tregon: “Pas një kohe, muhaxhirët e varfër u kthyen tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “Vëllezërit tanë të pasur dëgjuan se çfarë po veprojmë, andaj edhe ata po veprojnë njëjtë.” Atëherë, Pejgamberi ﷺ u tha: “Kjo është mirësia e Allahut: ia jep kujt të dojë.”
Sumeji ka thënë: “Këtë hadith ia tregova dikujt prej familjes sime dhe më tha: “Të është përzier, sepse Pejgamberi ﷺ të ka thënë: “E lartëson Allahun (subhanallah) tridhjetë e tri herë, e falënderon Allahun (elhamdulilah) tridhjetë e tri herë dhe e madhëron Allahun (Allahu ekber) tridhjetë e tri herë.” Kur u ktheva tek Ebu Salihu dhe ia tregova këtë, ai më mori për dore dhe më tha: “Allahu ekber, subhanallah, elhamdulilah. Allahu ekber, subhanallah, elhamdulilah"; kështu vazhdon derisa të gjitha së bashku bëhen tridhjetë e tri herë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 133