Umdetul Ahkam — Hadithi 146

20. Nënkapitulli: Namazi i dy bajrameve

146. Nga: Bera ibn Azibi

Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na mbajti hutben pas namazit të Bajramit të Kurbanit, e në atë rast na tha: “Ai që falet sikurse ne e pastaj (pas namazit) ther kurbanin sikurse ne, ia ka qëlluar Sunetit. Ndërkaq, atij që ther kurbanin para namazit, nuk i pranohet për kurban.”

Ebu Berde ibn Nijari, daja i Bera ibn Azibit, tha:

- O i Dërguari i Allahut! Unë kam therur një dele para namazit. Ngaqë sot është ditë ngrënieje e pirjeje, doja që delja ime të ishte e para që theret në shtëpinë time, kështu që e thera dhe hëngra prej saj, para se të vija për namaz.

- “Delja jote konsiderohet therje për mish (e jo kurban)”, - i tha Pejgamberi ﷺ.

- O i Dërguari i Allahut! Ne posedojmë një dhi më të vogël se njëvjeçare, porse është më e dashur për mua sesa dy dele. A do të më mjaftonte ajo? - e pyeti sërish.

- “Po, ama kjo nuk lejohet për të tjerët pas teje”, - i tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Umdetul Ahkam 146