Umdetul Ahkam — Hadithi 148
20. Nënkapitulli: Namazi i dy bajrameve
148. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam marrë pjesë në faljen e Bajramit me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Ai filloi me namaz para hutbes, pa e thirrur ezanin dhe ikametin. Më pas u ngrit duke u mbështetur në Bilalin, i urdhëroi që ta kenë frikë Allahun dhe i motivoi që t'i binden Atij. Po ashtu i këshilloi njerëzit dhe i rikujtoi ata. Pastaj shkoi derisa arriti te gratë, të cilat po ashtu i këshilloi e i rikujtoi, duke thënë: “O ju gra! “Jepni sadaka, sepse shumica juaj do të jenë lëndë djegëse e Xhehenemit.”
Një grua nga mesi i tyre, e cila i kishte dy faqet të zeshkëta, u ngrit dhe tha: “Përse, o i Dërguari i Allahut?”
- “Sepse ju e teproni me ankesa dhe i mohoni të mirat e burrit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, ato filluan të jepnin sadaka nga stolitë që i kishin prej vathëve e unazave dhe i hidhnin në rrobën e Bilalit.”
Referenca: Umdetul Ahkam 148