Umdetul Ahkam — Hadithi 155
22. Nënkapitulli: Namazi i kërkimit të shiut
155. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, një burrë hyri në xhami nëpërmjet derës që ndodhej nga Shtëpia e Kadasë dhe, duke qenë në këmbë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe rrugët janë djerruar, andaj lute Allahun të na çojë shi!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi!”
Enesi tregon: “Betohem në Allahun se në qiell nuk shihnim asnjë re të imët e as pupëlore, ndërkohë mes nesh dhe kodrës Selë nuk kishte asnjë shtëpi (që të na e pengonte shikimin). Sakaq, një re, në formë mburoje, u paraqit mbrapa kodrës. Me të arritur në mes të qiellit, u shpërnda dhe filloi të bjerë shi. Betohem në Allahun se nuk patëm parë diell për një javë të tërë.
Pastaj (xhumanë tjetër), teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar, hyri një burrë nga e njëjta derë dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe jemi ngujuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo sipër nesh! O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”
Shiu u ndal dhe, kur dolëm, Dielli rrezatonte.
Sheriku thotë: “E pyeta Enes ibn Malikun:
- A ishte i njëjti njeri (ai i javës së kaluar)?
- Nuk e di, - tha Enesi.
Autori thotë: “Dhirab: kodrina. Akam: shumësi i ekeme - më e lartë se kodrina e më e vogël se kodra.”
Shtëpia e Kadasë: “Shtëpia e Omer ibn Hatabit, është quajtur me këtë emër sepse është shitur për ta kthyer borxhin e tij.”
Referenca: Umdetul Ahkam 155