Umdetul Ahkam — Hadithi 221
3. Nënkapitulli: Shpagimi
221. Nga: Abdullah ibn Makil ibn Mukarrini
Abdullah ibn Makili ka thënë: “U ula te Kab ibn Uxhrain (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe e pyeta rreth shpagimit.” Ai m'u përgjigj: “Ka zbritur posaçërisht për mua, por vlen për të gjithë ju.” Më patën dërguar tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërsa morrat më binin në fytyrë, andaj më tha:
“Nuk kam menduar se sëmundja të paska arritur deri në këtë masë, - ose ka thënë: Nuk kam menduar se mundimi të paska arritur deri në këtë masë. - A ke ndonjë dele?”
- Jo, - i thashë.
- “E po, agjëro tri ditë ose ushqeji gjashtë nevojtarë, secilin nga gjysmë saë”, - tha ai.
Në një transmetim qëndron: “I Dërguari i Allahut ﷺ e urdhëroi atë që t'i ushqejë gjashtë nevojtarë, ose të therë një dele, ose të agjërojë tri ditë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 221