Umdetul Ahkam — Hadithi 325

325. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I pari që pyeti për këtë ishte filani, i biri i filanit, kur tha: “O i Dërguari i Allahut, sikur ndonjëri prej nesh ta gjejë gruan e tij duke bërë zina, si të veprojë? Nëse flet, do të flasë për një gjë shumë të rëndë, e, nëse hesht, do të heshtë ndaj një gjëje shumë të rëndë.” Pejgamberi ﷺ heshti dhe nuk iu përgjigj. Më vonë, ai erdhi sërish dhe tha: “Jam sprovuar me çështjen për të cilën të kam pyetur.” Atëherë Allahu i Madhëruar i zbriti ajetet e sures Nur: “Nëse një burrë e akuzon gruan e tij pa pasur dëshmitarë të tjerë përveç vetes, ai duhet të betohet në Allahun katër herë se thotë të vërtetën, dhe herën e pestë të kërkojë mallkimin e Allahut ndaj vetes, nëse ka gënjyer. Ndërsa gruaja do të kursehet nga dënimi, nëse betohet në Allahun katër herë, se i shoqi është gënjeshtar dhe, herën e pestë, të kërkojë hidhërimin e Allahut ndaj vetes, nëse i shoqi ka thënë të vërtetën.” (Nur, 6-9) Pejgamberi ﷺ ia lexoi atij këto ajete, e këshilloi dhe ia kujtoi (pasojat), po ashtu i tregoi se dënimi i dynjasë është më i lehtë sesa dënimi i ahiretit. Ai tha: “Jo, për Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nuk po gënjej kundër saj.” Pastaj Pejgamberi ﷺ e thirri gruan, e këshilloi, ia kujtoi (pasojat) dhe i tregoi se dënimi i dynjasë është më i lehtë se dënimi i ahiretit. Ajo tha: “Jo, për Atë që të ka dërguar me të vërtetën! Ai po gënjen.” Kështu, filloi me burrin, i cili dëshmoi katër herë duke u betuar në Allahun se ai po e thoshte të vërtetën, kurse herën e pestë mallkimi i Allahut qoftë mbi të nëse ishte gënjeshtar. Pastaj vazhdoi me gruan, e cila dëshmoi katër herë duke u betuar në Allahun se ai ishte gënjeshtar, kurse herën e pestë hidhërimi i Allahut qoftë mbi të (gruan) nëse ai po e thoshte të vërtetën. Pastaj Pejgamberi ﷺ i ndau ata (i shkurorëzoi përfundimisht).” Pastaj tri herë tha: “Allahu e di se njëri prej jush është gënjeshtar, kështu që a po pendoheni njëri prej jush?”

Në një tekst tjetër qëndron: “(Ndërkaq, burrit i tha:) "Nuk mund të vazhdosh me të.” Atëherë ai tha: “Po pasuria ime (mehri)?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ty nuk të takon asgjë. Nëse i ke dhënë mehër, ai është për faktin se të është lejuar marrëdhënia me të, e, nëse ke gënjyer për të, atëherë ajo (pasuria) është edhe më larg teje.”

Referenca: Umdetul Ahkam 325