Umdetul Ahkam — Hadithi 341
341. Nga: Sehël ibn Ebu Hathme
Sehël ibn Ebu Hathme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Abdullah ibn Sehli dhe Muhajisa ibn Mesudi shkuan në Hajber gjatë kohës kur mbretëronte marrëveshja e paqes (me banorët e Hajberit) dhe aty u ndanë nga njëri-tjetri. Kur Muhajisa u kthye tek Abdullah ibn Sehli, e gjeti të vrarë, të mbytur në gjak, andaj e varrosi. Me të arritur në Medinë, Abdurrahman ibn Sehli, Muhajisa dhe Huvejisa, dy bijtë e Mesudit, shkuan te Pejgamberi ﷺ. Abdurrahmani filloi të flasë, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Nga i madhi! Nga i madhi!” - ndërsa Abdurrahmani ishte më i vogli në mesin e tyre, - kështu që së pari folën Muhajisa dhe Huvejisa. Pejgamberi ﷺ u tha: “A po betoheni, që kështu ta meritoni shpagimin e të vrarit tuaj, - ose ka thënë: shokut tuaj?” Ata i thanë: “E si të betohemi kur nuk kemi qenë të pranishëm e as e kemi parë me sytë tanë?!” Pejgamberi ﷺ u tha: “Atëherë hebrenjtë do të shfajësohen me pesëdhjetë betime.” Ata i thanë: “E si të pranojmë betimet e një populli jobesimtar?”
Kështu, Pejgamberi ﷺ e shpagoi (të vrarin) me pasurinë e vet.”
Në hadithin e Hamad ibn Zedit qëndron: “I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Le të betohen pesëdhjetë prej jush, duke e treguar vrasësin e tyre, që t'ua shpaguajnë gjakun.”
- Është fjala për diçka që nuk e kemi parë, e si të betohemi? - thanë ata.
- “Atëherë, hebrenjtë do të shfajësohen nëse i bëjnë pesëdhjetë betime”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut! Një popull jobesimtar?! - thanë ata.
Kështu, Pejgamberi ﷺ e shpagoi (gjakun e të vrarit) me pasurinë e vet.”
Në hadithin e Seid ibn Ubejdit qëndron: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk dëshironte që gjaku i tij të shkonte huq, andaj e shpagoi me njëqind deve të sadakasë.”
Referenca: Umdetul Ahkam 341