Umdetul Ahkam — Hadithi 349

349. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi rrëfen nga Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se këta tregojnë: “Një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, po të përbej në Allahun që për mua të gjykosh sipas Librit të Allahut!” Hasmi i tij, i cili kishte dituri më shumë se i pari, u ngrit dhe tha: “Po, mes nesh gjyko sipas Librit të Allahut dhe më lejo të të tregoj!”
- “Fol!” - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Djali im ka qenë argat te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij. Më thanë se biri im duhet të dënohet me gurëzim. Andaj, e shpagova djalin tim me njëqind dele dhe një robëreshë. Pastaj i pyeta dijetarët, të cilët më thanë se biri im duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet për një vit, ndërsa gruaja e këtij duhet të gurëzohet, - tha beduini.
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes jush do të gjykoj sipas Librit të Allahut. Sa i përket robëreshës dhe deleve, duhet të të kthehen, ndërsa yt bir duhet të ndëshkohet me kamxhik dhe të dëbohet një vit. O Unejs, shko te gruaja e këtij dhe, nëse pranon (se ka bërë zina), dënoje me gurëzim.”
Unejsi shkoi dhe ajo pranoi. Kështu, pas urdhrit të të Dërguarit të Allahut ﷺ, ajo u gurëzua.”

Referenca: Umdetul Ahkam 349