Umdetul Ahkam — Hadithi 87
7. Nënkapitulli: Forma e namazit të Pejgamberit ﷺ
87. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ namazin e fillonte me tekbir, kurse leximin e Kuranit me: “Elhamdu lilahi rabil alemin (Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve).” Kur binte në ruku, kokën as e ngrinte, as e ulte shumë, por mes këtyre dyjave. Kur ngrihej nga rukuja, nuk binte në sexhde pa u drejtuar mirë në këmbë. Njëjtë vepronte edhe kur ngrihej nga sexhdeja, e nuk binte sërish në sexhde pa u drejtuar mirë ulur. Pas çdo dy rekateve e thoshte etehijatin dhe gjatë qëndrimit ulur shputën e majtë e shtrinte dhe ulej mbi të, kurse të djathtën e ngrinte përpjetë (me gishta në tokë). Ai ndalonte uljen sikurse shejtani, dhe ndalonte që njeriu t'i shtrijë krahët siç i shtrijnë bishat e egra. Në fund, namazin e përfundonte me selam.”
Referenca: Umdetul Ahkam 87