Sahihu i Buhariut — Hadithi 1007

2. Nënkapitulli: Duaja e Pejgamberit ﷺ: “Shndërrojua këto vite në thatësi sikurse vitet e Jusufit ﷺ!”

1007. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Duha se Mesruku ka thënë: “Teksa ishim tek Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tha: “Kur Pejgamberi ﷺ i shihte fiset që e kundërshtonin Islamin, thoshte: “O Allah, dërgojua shtatë vjet (thatësie), sikurse shtatë vjetët e Jusufit!” Andaj, njerëzit (në Mekë) i kaploi një thatësirë, e cila shkatërroi çdo gjë të njomë, aq sa filluan të hanin lëkura, ngordhësira dhe cofëtina. Kur dikush shikonte nga qielli, sytë nuk i shihnin tjetër vetëm se tym, për shkak të urisë.” Andaj, Ebu Sufjani erdhi dhe i tha: “O Muhamed! Ti urdhëron nënshtrimin ndaj Allahut dhe mbajtjen e lidhjeve farefisnore, ndërkohë populli yt veç sa s'është shkatërruar (nga uria). Lute Allahun për ta!

Allahu ﷻ ka thënë: Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, që do t'i mbulojë njerëzit, (e do t'u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm!” (Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë! E si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta e ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është një i çmendur i mësuar nga të tjerët?! Edhe sikur t'ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim). Ditën, kur do t'i mbërthejmë ata me forcën më të madhe, Ne do të hakmerremi. (Duhan, 10-16)

(Abdullah ibn Mesudi tha:) “Rrëmbimi i fuqishëm është dita e Bedrit. Janë shfaqur: tymi, rrëmbimi i fuqishëm, lufta dhe fitorja e romakëve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1007

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?