15. Kërkimi i shiut
1. Nënkapitulli: Kërkimi i shiut dhe dalja e Pejgamberit ﷺ për të falur namazin e kërkimit të shiut
1005. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekri, e ky nga Abad ibn Temimi, e ky nga xhaxhai i tij Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ doli për namazin e shiut, e në atë rast e ktheu ridanë mbrapsht.”
2. Nënkapitulli: Duaja e Pejgamberit ﷺ: “Shndërrojua këto vite në thatësi sikurse vitet e Jusufit ﷺ!”
1006. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Mugire ibn Abdurrahmani, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ e ngrinte kokën (nga rukuja) në rekatin e fundit, thoshte: “O Allah, shpëtoje Ajash ibn Ebu Rabian! O Allah, shpëtoje Seleme ibn Hishamin! O Allah, shpëtoje Velid ibn Velidin! O Allah, shpëtoji besimtarët e shtypur! O Allah, ndëshkoje fisin mudar me dënim të ashpër! O Allah, shndërroja këto vite në thatësi sikurse vitet e Jusufit ﷺ!”
Ai po ashtu ka thënë: “Allahu e faltë gifarin (fis)! Allahu e shpëtoftë eslemin (fis)!”
Ibn Ebu Zinadi përcjell nga babai i tij: “Tërë kjo ishte në namazin e sabahut.”
1007. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ebu Duha se Mesruku ka thënë: “Teksa ishim tek Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tha: “Kur Pejgamberi ﷺ i shihte fiset që e kundërshtonin Islamin, thoshte: “O Allah, dërgojua shtatë vjet (thatësie), sikurse shtatë vjetët e Jusufit!” Andaj, njerëzit (në Mekë) i kaploi një thatësirë, e cila shkatërroi çdo gjë të njomë, aq sa filluan të hanin lëkura, ngordhësira dhe cofëtina. Kur dikush shikonte nga qielli, sytë nuk i shihnin tjetër vetëm se tym, për shkak të urisë.” Andaj, Ebu Sufjani erdhi dhe i tha: “O Muhamed! Ti urdhëron nënshtrimin ndaj Allahut dhe mbajtjen e lidhjeve farefisnore, ndërkohë populli yt veç sa s'është shkatërruar (nga uria). Lute Allahun për ta!
Allahu ﷻ ka thënë: “Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, që do t'i mbulojë njerëzit, (e do t'u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm!” (Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë! E si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta e ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është një i çmendur i mësuar nga të tjerët?! Edhe sikur t'ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim). Ditën, kur do t'i mbërthejmë ata me forcën më të madhe, Ne do të hakmerremi.” (Duhan, 10-16)
(Abdullah ibn Mesudi tha:) “Rrëmbimi i fuqishëm është dita e Bedrit. Janë shfaqur: tymi, rrëmbimi i fuqishëm, lufta dhe fitorja e romakëve.”
3. Nënkapitulli: Kërkesa e njerëzve drejtuar imamit që të lutet për të rënë shi në raste thatësie
1008. Nga: Abdullah ibn Omeri
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Kutejbe, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Abdullah ibn Dinari se babai i tij, Abdullah ibn Dinari tregon: “E kam dëgjuar Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke recituar poezinë e Ebu Talibit:
I shndritshëm, me fytyrën e tij edhe retë lëshojnë shi,
Ushqen jetimët dhe vejushat i merr në kujdestari.”
1009. Nga: Abdullah ibn Omeri
Omer ibn Hamzai ka thënë: Na ka treguar Salimi, e ky nga babai i tij, Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ndonjëherë, kur e shikoja fytyrën e Pejgamberit ﷺ teksa kërkonte shi dhe nuk zbriste (nga minberi) veçse ullukët ishin mbushur me ujë, atëherë më kujtohej poezia (e Ebu Talibit):
I shndritshëm, me fytyrën e tij edhe retë lëshojnë shi,
Ushqen jetimët dhe vejushat i merr në kujdestari.”
1010. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hasen ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdullah Ensariu, e këtij i ka treguar babai i tij, Abdullah ibn Muthena, e ky nga Thumame ibn Abdullah ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur përhapej thatësira, Omer ibn Hatabi kërkonte shi përmes Abas ibn Abdulmutalibit dhe thoshte: “O Allah, ne të drejtoheshim Ty përmes duasë së Pejgamberit tonë ﷺ, e në atë rast na çoje shi. Ndërkaq, tani, po të drejtohemi përmes duasë së axhës së Pejgamberit tonë ﷺ, andaj na ço shi.”
Enesi thotë: “Pastaj binte shi.”
4. Nënkapitulli: Veshja mbrapsht e ridasë në namazin e kërkimit të shiut
1011. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Ebu Bekri, e ky nga Abad ibn Temimi se Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ bënte lutjen për shi, e kishte kthyer ridanë mbrapsht.
1012. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Ebu Bekri, e ky e ka dëgjuar Abad ibn Temimin duke i treguar babait të tij, nga xhaxhai i tij Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ doli në namazgjah dhe kërkoi (u lut për) shi. U drejtua nga kibla, e ktheu ridanë mbrapsht dhe i fali dy rekate.
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ibn Ujejne thoshte: “Abdullah ibn Zejdi është personi i cili e ka parë ezanin në ëndërr.” Mirëpo, Ibn Ujejne ka gabuar, sepse Abdullah ibn Zejdi në këtë hadith është Abdullah ibn Zejd ibn Asim Maziniu, prej Mazinit të ensarëve. (Ndërkaq, Abdullah ibn Zejdi, i cili e ka parë ezanin në ëndërr, është Abdullah ibn Zejd ibn Abdu Rebihu)
5. Nënkapitulli: Hakmarrja e Zotit të Plotfuqishëm me thatësi ndaj krijesave që tejkalojnë kufijtë e Allahut
6. Nënkapitulli: Lutja për shi në xhaminë në të cilën falet xhumaja
1013. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Damre Enes ibn Ijadi, e këtij i ka treguar Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemiri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, një burrë hyri në xhami nëpërmjet derës që është përballë minberit dhe, duke qenë në këmbë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar bagëtitë dhe rrugët janë djerruar, andaj lute Allahun të na çojë shi!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi!”
Betohem në Allahun se në qiell nuk shihnim asnjë re të imët e as pupëlore, ndërkohë mes nesh dhe kodrës Selë nuk kishte asnjë shtëpi (që të na e pengonte shikimin). Sakaq, një re, në formë mburoje, u paraqit mbrapa kodrës. Me të arritur në mes të qiellit, u shpërnda dhe filloi të bjerë shi. Betohem në Allahun se nuk patëm parë diell për një javë të tërë.
Pastaj (xhumanë tjetër), teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar, hyri një burrë nga e njëjta derë dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe jemi ngujuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne! O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”
Shiu u ndal dhe, kur dolëm, dielli rrezonte.
Sheriku thotë: “E kam pyetur Enesin:
- (Ky i dyti) a ishte i njëjti njeri?
- Nuk e di, - tha Enesi.”
7. Nënkapitulli: Kërkimi i shiut gjatë hutbes së xhumasë pa u kthyer nga kibla
1014. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Sheriku se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, hyri një burrë në xhami nëpërmjet derës që ndodhej nga shtëpia e Kadasë dhe, duke qenë në këmbë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe rrugët janë djerruar, andaj lute Allahun të na çojë shi!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi!”
Enesi tha: “Betohem në Allahun se në qiell nuk shihnim asnjë re të imët e as pupëlore, ndërkohë mes nesh dhe kodrës Selë nuk kishte asnjë shtëpi (që të na e pengonte shikimin). Sakaq, një re, në formë mburoje, u paraqit mbrapa saj (kodrës). Me të arritur në mes të qiellit, u shpërnda dhe filloi të bjerë shi. Betohem në Allahun se nuk patëm parë diell për një javë të tërë.
Pastaj (xhumanë tjetër), teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar, nga e njëjta derë hyri një burrë dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe jemi ngujuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne! O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”
Shiu u ndal dhe, kur dolëm, dielli rrezonte.
Sheriku thotë: “E pyeta Enes ibn Malikun:
- (Ky i dyti) a ishte i njëjti njeri?
- Nuk e di, - tha Enesi.”
8. Nënkapitulli: Kërkimi i shiut duke qenë në minber
1015. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, erdhi një burrë dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut! Po mban thatësirë e madhe, andaj lute Allahun të na çojë shi!
Pejgamberi ﷺ bëri dua, e në atë rast filloi të bjerë shi, saqë mezi arritëm nëpër shtëpitë tona.
Shiu vazhdoi deri në xhumanë e ardhshme. Atëherë, i njëjti person (ose dikush tjetër) u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun të na e largojë!
Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!”
Shihja se si retë shpërndaheshin në të djathtë e në të majtë duke lëshuar shi, porse në Medinë nuk kishte reshje.”
9. Nënkapitulli: Të mjaftuarit vetëm me namazin e xhumasë në rast të kërkimit të shiut
1016. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Sherik ibn Abdullahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “U shkatërruan bagëtitë dhe rrugët u djerruan. Pejgamberi ﷺ bëri dua, e në atë rast ra shi për një javë. Pastaj (xhumanë tjetër) erdhi dhe tha: “Do të na shkatërrohen shtëpitë, jemi ngujuar e do na ngordhin kafshët! Lute Allahun ta ndalë shiun!
Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina.”
Retë u tërhoqën prej Medinës, ashtu siç zhvishet rroba (prej trupit).”
10. Nënkapitulli: Duaja në rast të bllokimit të rrugëve prej shiut të shumtë
1017. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemiri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë erdhi te i Dërguari i Allahut ﷺ dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut, u shkatërruan bagëtitë dhe rrugët u djerruan, andaj lute Allahun të na çojë shi!
I Dërguari i Allahut ﷺ bëri dua, e në atë rast ra shi për një javë. Pastaj (xhumanë tjetër) një njeri erdhi dhe tha:
- Shtëpitë u shkatërruan, rrugët janë bllokuar dhe ngordhi bagëtia! Lute Allahun ta ndalë shiun!
Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Allah, çoje nëpër majat e kodrave e nëpër kodrina, nëpër ara e lugina!”
Retë u tërhoqën prej Medinës, ashtu siç zhvishet rroba (prej trupit).”
11. Nënkapitulli: Thënia se Pejgamberi ﷺ nuk e ktheu xhyben mbrapsht kur kërkoi shi ditën e premte
1018. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hasen ibn Bishri na ka thënë: Na ka treguar Muafa ibn Imrani, e ky nga Evzaiu, e ky nga Is'hak ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë iu ankua Pejgamberit ﷺ se po u shkatërroheshin pasuritë dhe familjet po vuanin. Atëherë, Pejgamberi ﷺ e luti Allahun për të çuar shi.
(Is'hak ibn Abdullahu thotë se Enesi, në hadithin e tij) nuk ka përmendur se Pejgamberi ﷺ e ka veshur ridanë mbrapsht ose se është drejtuar nga kibla.
12. Nënkapitulli: Kur njerëzit të ndërmjetësojnë tek imami për të kërkuar shi, ai nuk duhet t’i refuzojë
1019. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemiri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha:
- U shkatërruan bagëtitë dhe rrugët u djerruan, andaj lute Allahun (që të na çojë shi)!
Pejgamberi ﷺ e luti Allahun, e në atë rast ra shi prej së premtes deri në të premten tjetër. Pastaj (xhumanë tjetër), erdhi dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut, shtëpitë u shkatërruan, jemi ngujuar dhe ngordhi bagëtia (lute Allahun që ta ndalë shiun)!
Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”
Retë u tërhoqën prej Medinës, ashtu siç zhvishet rroba (prej trupit).”
13. Nënkapitulli: Ndërmjetësimi i idhujtarëve te muslimanët në rast thatësire
1020. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Mensuri dhe Ameshi, e këta nga Ebu Duha, e ky nga Mesruku se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kurejshët u vonuan në pranimin e Islamit. Pejgamberi ﷺ u lut kundër tyre dhe, si rrjedhojë, i goditi një thatësirë, saqë pothuajse vdiqën. Hanin ngordhësira dhe eshtra.
Ebu Sufjani vajti e i tha: “O Muhamed! Ti predikon respektimin e lidhjeve farefisnore, ndërsa populli yt veç sa s'është shkatërruar, andaj lute Allahun (për ta).”
Allahu ﷻ ka thënë: “Ti pra, prite ditën kur qielli sjell një tym të qartë.” (Duhan, 10) Por, ata sërish u kthyen në mosbesim, ashtu siç e përshkruan Allahu në ajet “Ditën kur do t'i kapim me rrëmbimin Tonë të fuqishëm...” (Duhan, 16) (Rrëmbimi i fuqishëm është) Dita e Bedrit.
Në transmetimin e Esbatit nga Mensuri përmendet: “I Dërguari i Allahut ﷺ bëri dua, e në atë rast ra shi, gjë që vazhdoi shtatë ditë, derisa njerëzit u ankuan nga shiu i tepërt. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ u lut: “Zoti ynë, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!” Retë u larguan nga vendbanimi, ndërkohë shiu vazhdonte të binte tek ata që ishin përreth (Medinës).”
14. Nënkapitulli: Duaja në rast të shiut të shumtë: “Çoje përreth nesh, e jo mbi ne!”
1021. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e xhuma, njerëzit ngrenë zërin dhe thirrën:
- O i Dërguari i Allahut! Na ka goditur thatësira, janë tharë pemët e ngordhën bagëtitë, andaj lute Allahun të na lëshojë shi!
Pejgamberi ﷺ tha dy herë: “O Allah, na ço shi!”
Betohem në Allahun se në qiell nuk kishte asnjë re, por (papritmas) u formua një re dhe filloi të binte shi. Pejgamberi ﷺ zbriti nga minberi, e fali namazin dhe doli nga xhamia, ndërkohë shiu binte pandërprerë. Kështu vazhdoi deri në xhumanë tjetër dhe, kur Pejgamberi ﷺ u ngrit për të ligjëruar, njerëzit e ngritën zërin dhe thirrën:
- U shkatërruan shtëpitë dhe jemi bllokuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!
Pejgamberi ﷺ buzëqeshi (ngriti duart) dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!”
Shiu u largua nga Medina dhe filloi të binte përreth saj, ndërsa në Medinë nuk binte asnjë pikë. Kur e shikoje Medinën, të dukej si kurorë (e rrethuar nga shiu).”
15. Nënkapitulli: Duaja në rast të kërkimit të shiut duke qëndruar në këmbë
1022. Nga: Abdullah ibn Jezid Ensariu
Ebu Nuajmi na ka treguar nga Zuhejri se Ebu Is'haku tregon se një ditë, Abdullah ibn Jezid Ensariu doli së bashku me Bera ibn Azibin dhe Zejd ibn Erkamin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) për t'u lutur për shi. Abdullah ibn Jezidi u ngrit në këmbë pa minber, bëri istigfar (kërkoi falje), pastaj ua fali dy rekate duke lexuar (Kuran) me zë, pa e thirrur as ezanin, as ikametin.
Ebu Is'haku thotë se Abdullah ibn Jezidi e ka parë Pejgamberin ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1022
Fjalë të panjohura?
1023. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Abad ibn Temimi, e ky nga xhaxhai i tij Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - njëherazi sahab i Pejgamberit ﷺ, - tregon: “Pejgamberi ﷺ doli për të kërkuar shi, u ngrit në këmbë dhe e luti Allahun (që të binte shi). Pastaj, u kthye në drejtim të kiblës dhe e ktheu ridanë mbrapsht, e në atë rast filloi të binte shi.”
16. Nënkapitulli: Këndimi i Kuranit me zë gjatë namazit të kërkimit të shiut
1024. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Abad ibn Temimi, e ky nga xhaxhai i tij se Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi doli për të kërkuar shi. Kështu, u drejtua nga kibla për t'u lutur dhe e ktheu ridanë mbrapsht. Pastaj, i fali dy rekate, në të cilat lexoi (Kuran) me zë.
17. Nënkapitulli: Si e ktheu Pejgamberi ﷺ shpinën nga njerëzit?
1025. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Abad ibn Temimi, e ky nga xhaxhai i tij se Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pashë Pejgamberin ﷺ ditën kur doli për të kërkuar shi. U drejtua nga kibla duke u lutur, e në atë rast u ktheu shpinën njerëzve dhe ridanë e ktheu së mbrapshti. Pastaj, na i fali dy rekate, në të cilat këndoi (Kuran) me zë.”
18. Nënkapitulli: Namazi i kërkimit të shiut është dyrekatësh
1026. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekri, e ky nga Abad ibn Temimi, se xhaxhai i tij Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ doli për namazin e shiut, e në atë rast i fali dy rekate dhe e ktheu ridanë mbrapsht.”
19. Nënkapitulli: Falja e namazit të shiut në namazgja
1027. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekri, se ky e ka dëgjuar Abad ibn Temimin, e ky nga xhaxhai i tij se Abdullah ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ doli në namazgjah për namazin e shiut. U drejtua nga kibla, i fali dy rekate dhe e ktheu ridanë mbrapsht.
Sufjani ka thënë: “Më ka rrëfyer Mesudi se Ebu Bekri i ka treguar: “Vendosi anën e djathtë të ridasë së tij mbi supin e majtë (dhe anasjelltas).”
20. Nënkapitulli: Drejtimi nga kibla në rast të kërkimit të shiut
1028. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Muhamedi, e këtij i ka rrëfyer Abad ibn Temimi se Abdullah ibn Zejd Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ doli në namazgjah për ta falur namazin (e shiut). Kur u lut, - ose ka thënë: zuri të lutej, - u drejtua nga kibla dhe e ktheu ridanë së mbrapshti.
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Abdullah ibn Zejdi në këtë hadith është nga fisi mazin, ndërsa ai (transmetuesi) paraprak (që është përmendur në nënkapitullin: “Duaja në rast të kërkimit të shiut duke qëndruar në këmbë), është Abdullah ibn Jezidi, nga qyteti i Kufes.”
21. Nënkapitulli: Njerëzit, së bashku me imamin, i ngrtin duart gjatë duasë së kërkimit të shiut
1029. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ejub ibn Sulejmani ka thënë: Më ka treguar Ebu Bekër ibn Ebu Uvejsi, e ky nga Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka thënë Jahja ibn Seidi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ ditën e premte dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut! Bagëtitë veç sa s'kanë ngordhur, familjet janë të uritura e mbaruan njerëzit.
I Dërguari i Allahut ﷺ i ngriti duart për t'u lutur. Edhe njerëzit, së bashku me Pejgamberin ﷺ, i ngritën duart për t'u lutur. Akoma pa dalë prej xhamisë, zuri të binte shi, i cili vazhdoi deri në xhumanë e ardhshme.
Sërish, personi i njëjtë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Njerëzit nuk po mund të udhëtojnë dhe rrugët janë bllokuar.
1030. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Uvejsi ka thënë: Më ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Jahja ibn Seidi dhe Sheriku se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ngriti duart aq shumë, saqë dallova bardhësinë e sqetullave të tij.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1030
Fjalë të panjohura?
22. Nënkapitulli: Imami i ngre duart gjatë lutjes për kërkim të shiut
1031. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Jahja dhe Ibn Ebu Adiu, e këta nga Seidi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ nuk i ngrinte duart në duatë e tij, përveçse në duanë e shiut, ku i ngrinte aq shumë, saqë i shquhej edhe bardhësia e sqetullave.
23. Nënkapitulli: Çfarë thuhet kur bie shi?
1032. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Mukatil Ebu Hasen Merveziu, na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullahu, e ky nga Nafiu, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ shihte duke rënë shi, thoshte: “Allahume sajiben nafian (O Allah, bëje shi të dobishëm)!”
Transmetimin e Abdullahut e ka fuqizuar edhe Kasim ibn Jahjai nga Ubejdullahu. Ndërkaq, Evzaiu dhe Ukajli e transmetojnë këtë hadith po ashtu nga Nafiu.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1032
Fjalë të panjohura?
24. Nënkapitulli: Ekspozimi në shi derisa pikat e shiut të përshkojnë mjekrën
1033. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullah ibn Mubareku, e këtij i ka rrëfyer Evzaiu, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talha Ensariu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, njerëzit i goditi një thatësirë. Një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar ditën e premte, një beduin u ngrit dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe janë uritur familjet, andaj lute Allahun të na çojë shi!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart (dhe u lut). Edhe pse në fillim në qiell nuk kishte asnjë re, (pas duasë) retë u tubuan sikurse vargmalet. Dhe, akoma pa zbritur Pejgamberi ﷺ nga minberi, shiu shkonte rrëke nëpër mjekrën e tij ﷺ.
Atë ditë, ra shi në vazhdimësi, po ashtu edhe të nesërmen, të pasnesërmen dhe pas saj, deri në xhumanë vijuese. I njëjti beduin, ose dikush tjetër, u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Na janë shkatërruar shtëpitë dhe po fundoset pasuria, andaj lute Allahun për ne!
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!” Dhe, sa herë që bënte me dorë drejt një pjese të reve, shpërndaheshin tutje, saqë Medina (qielli i saj) u bë si një vrimë e madhe, ndërsa lugina Kanat rrodhi një muaj rresht. Çdokush që vinte, fliste për shiun me bollëk.”
25. Nënkapitulli: Çfarë veprohet në rast se fryn erë e furishme?
1034. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sa herë që frynte ndonjë erë e furishme, (kjo gjë) vërehej në fytyrën e Pejgamberit ﷺ (për shkak të frikës nga ndonjë dënim).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1034
Fjalë të panjohura?
26. Nënkapitulli: Thënia e Pejgamberit ﷺ: “Jam ndihmuar me puhizën që frynë nga lindja.”
1035. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Muxhahidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Jam ndihmuar me puhizën e lindjes, kurse Adi (populli i Hudit ﷺ) është shkatërruar me erën e furishme të perëndimit.”
27. Nënkapitulli: Çfarë thuhet në rast të tërmeteve dhe shfaqjes së dukurive paralajmëruese në natyrë?
1036. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Zinadi, e ky nga Abdurrahman Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa ardhur koha kur zhduket dituria, shpeshtohen tërmetet, shkurtohet koha, shfaqen fitnet, shpeshtohet herxhi, - që nënkupton vrasjet e shumta, - dhe të ketë pasuri me bollëk, saqë s'ka kush e merr.”
1037. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Husejn ibn Haseni, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
- “O Allah, bekoje Shamin dhe Jemenin tonë!”
- Edhe Nexhdin tonë? - i thanë të pranishmit.
- “O Allah, bekoje Shamin dhe Jemenin tonë!” - tha sërish Pejgamberi ﷺ.
- Edhe Nexhdin tonë? - thanë sërisht.
- “Atje është burimi i tërmeteve dhe fitneve, si dhe prej aty do të paraqitet briri i shejtanit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
28. Nënkapitulli: Fjala e Allahut ﷻ: “... dhe (falënderimin) për furnizimin tuaj ju e shndërroni në mohim (përgënjeshtrim).”
Ibn Abasi ka thënë: "(togfjalëshi رِزْقَكُمْ - rizkukum - e ka kuptimin): "Falënderimin (për furnizimin) tuaj."
1038. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Salih ibn Kejsani, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pas një nate me shi, i Dërguari i Allahut ﷺ na e fali namazin e sabahut në Hudejbije. Me ta kryer, u kthye nga njerëzit dhe tha:
- “A e dini ç'tha Zoti juaj?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - iu përgjigjën të pranishmit.
- “Disa robër të Mi më besuan, e disa më mohuan. Ata që thanë: “Ra shi nga mirësia dhe mëshira e Allahut”, më kanë besuar Mua dhe kanë mohuar yjet (ndikimin e tyre), kurse ata që thanë: “Ra shi për shkak të pozitës së këtij e atij ylli”, më kanë mohuar Mua e u kanë besuar yjeve”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
29. Nënkapitulli: Përveç Allahut ﷻ, askush nuk e di kur do të bjerë shi
Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pesë gjëra nuk i di askush tjetër përveç Allahut ﷻ.”
1039. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çelësat e fshehtësisë (gajbit) janë pesë, të cilat, përveç Allahut ﷻ, nuk i di askush:
1. Askush nuk e di ç'do të ndodhë nesër,
2. Askush nuk e di ç'ka në mitra,
3. Askush nuk e di ç'do të punojë nesër,
4. Askush nuk e di ku do të vdesë, dhe
5. Askush nuk e di kur do të bjerë shi.”