Sahihu i Buhariut — Hadithi 1013

6. Nënkapitulli: Lutja për shi në xhaminë në të cilën falet xhumaja

1013. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Damre Enes ibn Ijadi, e këtij i ka treguar Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemiri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, një burrë hyri në xhami nëpërmjet derës që është përballë minberit dhe, duke qenë në këmbë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ:

- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar bagëtitë dhe rrugët janë djerruar, andaj lute Allahun të na çojë shi!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi!”

Betohem në Allahun se në qiell nuk shihnim asnjë re të imët e as pupëlore, ndërkohë mes nesh dhe kodrës Selë nuk kishte asnjë shtëpi (që të na e pengonte shikimin). Sakaq, një re, në formë mburoje, u paraqit mbrapa kodrës. Me të arritur në mes të qiellit, u shpërnda dhe filloi të bjerë shi. Betohem në Allahun se nuk patëm parë diell për një javë të tërë.

Pastaj (xhumanë tjetër), teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar, hyri një burrë nga e njëjta derë dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe jemi ngujuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne! O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”

Shiu u ndal dhe, kur dolëm, dielli rrezonte.

Sheriku thotë: “E kam pyetur Enesin:

- (Ky i dyti) a ishte i njëjti njeri?

- Nuk e di, - tha Enesi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1013

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?