Sahihu i Buhariut — Hadithi 1014

7. Nënkapitulli: Kërkimi i shiut gjatë hutbes së xhumasë pa u kthyer nga kibla

1014. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Sheriku se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, hyri një burrë në xhami nëpërmjet derës që ndodhej nga shtëpia e Kadasë dhe, duke qenë në këmbë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ:

- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe rrugët janë djerruar, andaj lute Allahun të na çojë shi!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi!”

Enesi tha: “Betohem në Allahun se në qiell nuk shihnim asnjë re të imët e as pupëlore, ndërkohë mes nesh dhe kodrës Selë nuk kishte asnjë shtëpi (që të na e pengonte shikimin). Sakaq, një re, në formë mburoje, u paraqit mbrapa saj (kodrës). Me të arritur në mes të qiellit, u shpërnda dhe filloi të bjerë shi. Betohem në Allahun se nuk patëm parë diell për një javë të tërë.

Pastaj (xhumanë tjetër), teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar, nga e njëjta derë hyri një burrë dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe jemi ngujuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne! O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”

Shiu u ndal dhe, kur dolëm, dielli rrezonte.

Sheriku thotë: “E pyeta Enes ibn Malikun:

- (Ky i dyti) a ishte i njëjti njeri?

- Nuk e di, - tha Enesi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1014

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?