Sahihu i Buhariut — Hadithi 1017

10. Nënkapitulli: Duaja në rast të bllokimit të rrugëve prej shiut të shumtë

1017. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemiri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë erdhi te i Dërguari i Allahut ﷺ dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut, u shkatërruan bagëtitë dhe rrugët u djerruan, andaj lute Allahun të na çojë shi!

I Dërguari i Allahut ﷺ bëri dua, e në atë rast ra shi për një javë. Pastaj (xhumanë tjetër) një njeri erdhi dhe tha:

- Shtëpitë u shkatërruan, rrugët janë bllokuar dhe ngordhi bagëtia! Lute Allahun ta ndalë shiun!

Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Allah, çoje nëpër majat e kodrave e nëpër kodrina, nëpër ara e lugina!”

Retë u tërhoqën prej Medinës, ashtu siç zhvishet rroba (prej trupit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1017

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?