Sahihu i Buhariut — Hadithi 1020
13. Nënkapitulli: Ndërmjetësimi i idhujtarëve te muslimanët në rast thatësire
1020. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Mensuri dhe Ameshi, e këta nga Ebu Duha, e ky nga Mesruku se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kurejshët u vonuan në pranimin e Islamit. Pejgamberi ﷺ u lut kundër tyre dhe, si rrjedhojë, i goditi një thatësirë, saqë pothuajse vdiqën. Hanin ngordhësira dhe eshtra.
Ebu Sufjani vajti e i tha: “O Muhamed! Ti predikon respektimin e lidhjeve farefisnore, ndërsa populli yt veç sa s'është shkatërruar, andaj lute Allahun (për ta).”
Allahu ﷻ ka thënë: “Ti pra, prite ditën kur qielli sjell një tym të qartë.” (Duhan, 10) Por, ata sërish u kthyen në mosbesim, ashtu siç e përshkruan Allahu në ajet “Ditën kur do t'i kapim me rrëmbimin Tonë të fuqishëm...” (Duhan, 16) (Rrëmbimi i fuqishëm është) Dita e Bedrit.
Në transmetimin e Esbatit nga Mensuri përmendet: “I Dërguari i Allahut ﷺ bëri dua, e në atë rast ra shi, gjë që vazhdoi shtatë ditë, derisa njerëzit u ankuan nga shiu i tepërt. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ u lut: “Zoti ynë, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!” Retë u larguan nga vendbanimi, ndërkohë shiu vazhdonte të binte tek ata që ishin përreth (Medinës).”