Sahihu i Buhariut — Hadithi 1021

14. Nënkapitulli: Duaja në rast të shiut të shumtë: “Çoje përreth nesh, e jo mbi ne!”

1021. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e xhuma, njerëzit ngrenë zërin dhe thirrën:

- O i Dërguari i Allahut! Na ka goditur thatësira, janë tharë pemët e ngordhën bagëtitë, andaj lute Allahun të na lëshojë shi!

Pejgamberi ﷺ tha dy herë: “O Allah, na ço shi!”

Betohem në Allahun se në qiell nuk kishte asnjë re, por (papritmas) u formua një re dhe filloi të binte shi. Pejgamberi ﷺ zbriti nga minberi, e fali namazin dhe doli nga xhamia, ndërkohë shiu binte pandërprerë. Kështu vazhdoi deri në xhumanë tjetër dhe, kur Pejgamberi ﷺ u ngrit për të ligjëruar, njerëzit e ngritën zërin dhe thirrën:

- U shkatërruan shtëpitë dhe jemi bllokuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!

Pejgamberi ﷺ buzëqeshi (ngriti duart) dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!”

Shiu u largua nga Medina dhe filloi të binte përreth saj, ndërsa në Medinë nuk binte asnjë pikë. Kur e shikoje Medinën, të dukej si kurorë (e rrethuar nga shiu).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1021

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?