Sahihu i Buhariut — Hadithi 1046
4. Nënkapitulli: Hutbeja e imamit me rastin e eklipsit
Aishja dhe Esma tregojnë se Pejgamberi ﷺ mbajti hutbe.
1046. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi. [t]: Ahmed ibn Salihu më ka thënë: Më ka treguar Anbese, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Sa ishte gjallë Pejgamberi ﷺ, u eklipsua Dielli, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ doli në xhami, kurse sahabët u rreshtuan nëpër safa mbrapa tij. Bëri tekbirin dhe lexoi gjatë në kijam, pastaj bëri tekbirin dhe ra në ruku, ku qëndroi gjatë. Pastaj tha: “Semiallahu limen hamideh” (Allahu iu përgjigj atij që e falënderoi) e u ngrit, por nuk ra në sexhde. Sërish lexoi gjatë, por më shkurt sesa herën paraprake. Bëri tekbirin dhe ra në ruku, qëndroi gjatë, por më shkurt sesa rukunë e parë. Pastaj tha: “Semiallahu limen hamideh. Rabena ve lekel hamd” (Allahu iu përgjigj atij që e falënderoi, Zoti ynë, Ty të takon falënderimi) dhe ra në sexhde. Edhe në rekatin e dytë veproi njëjtë (sikurse në të parin). I bëri katër ruku me katër sexhde. Para se ta përfundonte namazin, Dielli ishte shfaqur. Pastaj u ngrit, e lavdëroi Allahun ashtu siç i takon Atij dhe tha: “Ato (Dielli dhe Hëna) janë argumente të Allahut. Eklipsi i tyre nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Kur t'i shihni, shpejtoni për në namaz.”
Zuhriu thotë: “Të njëjtin hadith, për eklipsin e Diellit, e transmeton edhe Kethir ibn Abasi prej Abdullah ibn Abasit (nga Pejgamberi ﷺ), andaj iu drejtova Urvës (transmetuesit të hadithit të mësipërm nga Aishja):
- Vëllai yt (Abdullah ibn Zuberi, kur ndodhi eklipsi) në Medinë i fali dy rekate, sikurse namazin e sabahut dhe nuk shtoi asgjë me shumë (ka për qëllim qëndrimin në këmbë dhe rukunë e dytë).
- Ashtu, sepse ai nuk e ka qëlluar Sunetin, - ia ktheu Urve.”