Sahihu i Buhariut — Hadithi 1047

5. Nënkapitulli: A përdoret (në arabisht) fjala ‘kesefe’ apo ‘hasefe’ për eklipsin e diellit?

Allahu ﷻ ka thënë: “Dhe kur të zihet (hasefe) hëna.” (Kijame, 8)

1047. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Seid ibn Ufejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u fal ditën kur u eklipsua Dielli. Ai u ngrit, bëri tekbirin dhe lexoi gjatë në kijam. Pastaj ra në ruku, ku qëndroi gjatë. Pastaj e ngriti kokën dhe tha: “Semiallahu limen hamideh” (Allahu iu përgjigj atij që e falënderoi) e u ngrit siç ishte më parë dhe sërish lexoi gjatë, por më shkurt sesa herën e parë. Sërish ra në ruku, qëndroi gjatë, por më shkurt sesa rukunë e parë. Pastaj ra në sexhde dhe qëndroi gjatë. Edhe në rekatin e dytë veproi njëjtë (sikurse të parin). Kur dha selam, Dielli veçse ishte shfaqur. Pastaj u ligjëroi njerëzve rreth eklipsit të Diellit dhe Hënës, duke u thënë: “Ato (Dielli dhe Hëna) janë argumente të Allahut, andaj eklipsi i tyre1 nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt. Kur t'i shihni, shpejtoni për në namaz.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1047

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?